Armando Duka mund të konsiderohet me plot gojë si “Sulltani” i Federatës Shqiptare të Futbollit. Prej 20 vitesh në postin e Presidentit, mes hijeve të skandaleve për trukime ndeshjesh dhe sëfundmi dhe “zhdukja”e 2.1 milionë eurove të dhëna nga UEFA, Duka njihet nga të gjithë dhe njeriu që përcaktonte se cili do të veshë fanellën kuqezi.

Gjatë këtyre viteve kanë qenë jo të pakët talentet shqiptare që pavarësisht dëshirës dhe përjpjeve të tyre për të veshur fanellën e kombëtares, nuk kanë marrë asnjë ofertë nga FSHF. Një prej tyre është Granit Xhaka, që arriti të bëhej dhe kapiten i Kombëtares Zviceriane duke arritur rezultate historike. Ylli kosovar i kombëtares së Zvicrës ka deklaruar publikisht se ai së bashku me vëllanë, Taulantin, u përpoqën të afroheshin te Kombëtarja kuqezi nga babai i tyre, Ragipi, por nuk u konsideruan të vlefshëm. Ai ka thënë se më pas nuk pati kurrë interesim nga federata shqiptare, ndërkohë që një legjendë e futbollit si trajneri Otmar Hicfeld e kishte bindur të zgjidhte Zvicrën. Në intervistën e dhënë për blogerin Kozak Braci, Granit Xhaka ka rrëfyer me detaje se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Shqipërisë.

“Isha shumë i ri, ndoshta 16 vjeç, kur babai na ka ofruar mua dhe Taulantin në Kombëtaren e Shqipërisë, por nuk ka pasur interesim. I vetmi person që më ka thirrur mua në Kombëtaren e Shqipërisë dhe që nuk ia harroj kurrë, madje kam shumë respekt për të, është Lorik Cana. Më ka marrë në telefon dhe më ka pyetur: Si është situata? Kaq. Ndërsa prej federatës nuk ka pati kurrë asnjë interesim. Ndërsa me Zvicrën është ndryshe, pasi pata interesim konkret. Isha i ri, nuk pata shumë kohë të mendohem, por duhet të më kuptoni se kur të ulet me ty një trajner legjendar si Otmar Hicfeld, atëherë natyrisht që fillon ta mendosh seriozisht. A do të kisha pasur kaq shumë sukses në karrierë po të kisha zgjedhur Shqipërinë dhe jo Zvicrën? Kësaj nuk mund t’i përgjigjem, sepse e kam të pamundur. Por, ama mund të them se i jam shumë mirënjohës Zvicrës sepse ka hapur dyert për mua dhe për familjen time. Na kanë pritur shumë mirë dhe u jemi mirënjohës përjetë. Ama kjo nuk do të thotë kurrsesi se Graniti është kundër Shqipërisë. Kurrsesi. Unë jam shqiptar dhe gjakun e kam shqiptar”, shprehet Xhaka.