Nevoja për më shumë energji, në një shoqëri që zhvillohet çdo ditë me ritme të shpejta, është mbivendosur tashmë edhe nga një krizë e madhe globale energjie, e shkaktuar kryesisht si pasojë e rritjes së prodhimit pas një viti të vështirë të pandemisë së COVID 19, por edhe nga mbyllja e disa burimeve energjitike me lëndë djegëse.
Vendi ynë aktualisht prodhon energji elektrike 100% të rinovueshme e cila vjen kryesisht prej burimeve hidrike. Në periudha veçanërisht të thata, prodhimi i saj bie ndjeshëm duke na bërë të varur nga moti dhe reshjet e shiut.
Efiçenca energjitike, e thënë ndryshe, përdorimi i energjisë në mënyrë më racionale, është zgjidhja më e mirë dhe e shpejtë për të shmangur shpërdorimin e saj pa kriter. Kjo është mundësia e vetme për një zhvillim të qëndrueshëm, pa ndotur mjedisin.
Shfrytëzimi i një sasie më të vogël energjie për të kryer të njëjtat aktivitete, redukton ndotjen e mjedisit, efektin serë dhe jo vetëm.
Duke zvogëluar kërkesën për energji, nevojën për investim në kapacitet gjeneruese dhe në rrjetin e shpërndarjes, mundësohet qëndrueshmëria e çmimeve dhe rritet siguria në furnizimin me energji. Si rezultat, zvogëlohet fatura e energjisë elektrike e cila prek drejtpërdrejtë familjet shqiptare dhe ekonominë e të gjithë vendit.
Agjencia për Efiçencën e Energjisë është institucioni përgjegjës që harton, promovon dhe monitoron politikat dhe masat për përmirësimin e efiçencës së energjisë në Shqipëri. Këto masa kanë për qëllim shfrytëzimin me eficencë të energjisë dhe sigurimin e një jete më të mirë për qytetarët shqiptarë.
Falë projekteve dhe programeve të kësaj agjencie, janë duke u ndërmarrë një sërë masash që lidhen me termoizolimin e ndërtesave publike dhe familjare, ndërhyrje në sistemin e pompave për ujësjellësit si konsumator të mëdhenj të energjisë, zëvendësimin e ndriçuesve me performacë të lartë energjie në ndriçimin urban të qyteteve dhe rrugët kombëtare, ngritjen e një rrjeti në të gjithë territorin e vendit për stacionet e karikimit të makinave elektrike, si dhe përdorimin e teknologjive innovative në industri.
Megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. Sektorët e transportit, ndërtimit dhe industrisë janë përgjegjësit kryesor për konsumin e energjisë dhe emetimin e gazrave serë në vendin tonë. Ndaj duhet rritur ndërgjegjësimi dhe vëmendja në projektimin dhe realizimin e ndërtesave me konsum të ulët energjie, zëvendësimin e makinave tradicionale në transportin publik e privat që përdorin karburant si lëndë djegëse me makinat elektrike me emetim pothuajse zero të garzrave serë, si dhe në përdorimin e pajisjeve me efiçencë të lartë në makineritë dhe pajisjet industriale, në mënyrë që të ulet përdorimi i energjisë dhe të përmirësohet bilanci kombëtar i konsumit të energjisë.