Aeroplanmbajtësja “USS Harry S. Truman” e Marinës së Shteteve të Bashkuara po kryen një stërvitje ushtarake në ujërat shqiptare.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, njoftoi se, në frymën e bashkëpunimit të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, dhe si aleate të NATO-s, aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman e Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe ekuipazhi i saj mirëpritën kryeministrin shqiptar Edi Rama, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, ministren e Jashtme Olta Xhaçka, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Gjeneral Major Bajram Begaj, drejtues të lartë shqiptarë civilë, ushtarakë dhe rinorë, si të ftuar të veçantë në bordin e saj.

Delegacioni shqiptar pati mundësinë e rrallë për të parë operacionet e fluturimit në kuvertën e fluturimit dhe gjithashtu u takuan me makinistin e klasit 2 Albi Jakova, nga Orlando, Florida, familja e të cilit është shqiptare.

Ambasadorja Kim pati gjithashtu mundësinë të takonte marinarë nga vendlindja e saj në Guam.

Ambasada e SHBA-së ndau dhe disa foto nga vizita e delegacionit shqiptar në aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman e Marinës së Shteteve të Bashkuara, teksa theksoi se “kjo vizitë ishte një tjetër piketë në marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ndërsa në 2022-in shënojmë 100 vjetorin e marrëdhënies sonë”.