Ditët e fundit në mediat kosovare është komentuar shumë një perplasje midis nënkryetares së PDK, Vlora Çitaku dhe ambasadorit serb në SHBA, Marko Gjuriç.
Debati mes Çitakut dhe Gjuriçit erdhi pasi tenisti serb Novak Gjokoviq njoftoi se i është dhënë leja për të garuar në Australian Open duke bërë një përjashtim mjekësor nga vaksinimi.
“Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerët”, ishte një postim i nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, që nisi përplasjen me Gjuriçin.
Mirëpo, së fundmi pjesë e këtij debati është bërë edhe këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa.
Gjuriç, e ka quajtur “bashkëkombëse të tij”, këngëtaren kosovare.
“Duke lënë komentet urrejtëse anash, jam shumë krenar për bashkëkombësen tonë të dashur Dua Lipa (flamur i Serbisë) edhe pse ajo mund të mendojë ndryshe për çështjet politike”, ka shkruar Gjuriç në Twitter.
Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga përdorues në Twitter që kanë shpërndarë fjalimet e Lipës që flet për vuajtjet e Kosovës e se sa krenare është që është shqiptare.