Pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj tij, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar duke mbrojtur qëndrimin e institucionit për pagesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave në vend, së bashku me kryetarët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, kanë depozituar më 8 shtator kallëzim penal në SPAK, duke kërkuar hetimin e Malajt, Gentian Kërit dhe përgjegjësve të degëve të Thesarit për bllokimin e pagave për muajin gusht.
Në reagimin e tij, Malaj e konsideron situatën si një përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit, ndërsa thotë se Ministria e Financave ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”, shkruan ministri.
Sipas Malajt, arsyeja e bllokimit lidhet me faktin se Ministria e Financave ka refuzuar të ekzekutojë shtesat e kërkuara të pagave pa një vendim të ri të Parlamentit.
“Ne kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët”, shprehet ai.
Ministri thekson se qeveria dhe përfaqësues të Parlamentit kanë deklaruar publikisht se nuk do të pengohet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.
Sipas tij, çështja pritet të adresohet më 17 shtator, kur parashikohet miratimi i ligjit që do t’i japë Ministrisë së Financave kompetencat administrative për veprimin në këtë drejtim.
“Askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit”, deklaron Malaj.
Ai shprehet se, pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor kanë zgjedhur të përshkallëzojnë përplasjen përmes kallëzimit penal.










