Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka qenë sot në Shkodër ku u zhvillua analiza vjetore e punës së policisë së këtij qyteti. Gledis Nano ka kërkuar më tepër angazhim nga strukturat për të parandaluar ngjarjet kriminale. Ndër të tjera ai ka theksuar se s’do ketë asnjë tolerancë për efektivët e policisë që shpërdorojnë detyrën.

“Duhet më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal. Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron besimin që i është dhënë apo tradhëton parimet dhe kolegët.”-tha Nano.

Më tej, Nano është ndalur në masat që duhen marrë për vitin 2022, për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

“Për këtë puna duhet të fillojë që në këto momente, me marrjen e informacioneve për personat që përgatiten për të kultivuar bimë narkotike, për goditjen e atyre që fusin fara në mënyrë kontrabandë dhe i shesin me qëllim kultivimin e tyre, për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda, krimin e rrugës, si dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve, të cilat mund të çojnë në pasoja për jetën e qytetarëve.”-theksoi Nano.

Sakaq, kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar që performanca e policisë në komunitet, të rritet akoma më tej dhe punonjësit e policisë t’u ofrojnë një shërbim sa më cilësor qytetarëve dhe të reflektojnë një sjellje të denjë për të qenë punonjës policie.

“Kjo për qëllim që të gjithë këta komponentë të bëjnë që qytetarët të besojnë më shumë te Policia, ta mbështesin më shumë Policinë, se bashkërisht me qytetarët mund të ndërtojmë një ambient më të sigurt për të ardhmen e vendit.”-tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm është ndalur edhe te masat parandaluese që duhen marrë në pikat e kalimit kufitar, për parandalimin e krimeve ndërkufitare, kryesisht të trafikimit të lëndëve narkotike, të kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta dhe të kontrabandës.

Nano ka kërkuar një bashkërendim të punës midis Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, por dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, që të koordinojnë veprimet me njëra-tjetrën, të grumbullojnë informacion, të bëjnë analiza risku dhe të godasin sa më ashpër, me zero tolerancë, këdo që tenton të kryejë këtë veprimtari kriminale.

“Kërkoj nga të gjitha strukturat tuaja, më shumë angazhim e përkushtim, për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj çdo veprimtarie kriminale. Puna me ndershmëri e përkushtim ka vetëm një medalje, atë të mirënjohjes së qytetarëve, ndaj punoni që ta meritoni”, – ka përfunduar fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm.