Nga Arsen Rusta
Prokuroria e Tiranës pritet të rikthejë në SPAK dosjen e 21 janarit. Kjo pas kërkesës së familjarëve të viktimave dhe deklaratave publike të bëra nga ish ministri Brendshëm Lulzim Basha dhe ish kryeministri Berisha. Për shkak të funksionit që kanë pasur Basha dhe Berisha më 21 janar, Prokuroria e Tiranës po shqyrton kërkesën e familjareve dhe pritet të rikthejë dosjen për veprime të mëtejshme dhe marrjen e dëshmive të ish kryeministrit dhe kreut të opozitës.
Sot, një javë më parë u shënuan 11 vite nga 21 janari ku mbetën të vrarë katër protestues të opozitës asokohe PS gjatë protestave para kryeministrisë kundër qeverisë së PD. Për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën ende nuk ka asnjë drejtësi, ndërsa familjarët presin që kjo të ndodhë sa më shpejt.
Prokuroria e Tiranës vijon hetimet, ndërkohë që ka marrë në pyetje disa dëshmitarë të tjerë, ndërsa është vendosur riekspertimi për predhën e gjendur në trupin e të ndjerit Aleks Nika. Ky riekspertim do të bëhet nga ekspertët italianë. Riekspertimi është vendosur me qëllim marrjen e çdo të dhëne tjetër me vlerë identifikuese, duke përdorur teknologjitë e reja laboratorike.
Deklaratat e Berishës dhe Bashës për njëri-tjetrin Krimi i pandëshkuar i 21 Janarit përplasi pak kohë më parë ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e tij të Brendshëm më 21 janar 2011, Lulzim Baqshën. Më 13 dhjetor të vitit 2021, Lulzim Basha dha sinjalin e parë të reflektimit dhe të ndryshimit të qëndrimit për 21 Janarin, duke akuzuar në mënyrë të tërthortë Sali Berishën për vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm në bulevard dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve. Duke komentuar sulmet e Berishës për të marrë me forcë selinë e PD-së, Basha hoqi një paralele mes Berishës dhe skenarit të ndjekur nga Tom Doshi në 21 janar 2011. Basha tha se ai sot nuk u përgjigj në të njëjtën mënyrë si ish-kryeministri Berisha 10 vite më parë.
“PD ka qenë dhe është e gatshme të përballet me çdo situatë. Në miniaturë Berisha kopjoi skenarin e Tom Doshit në 21 janar, por unë nuk u përgjigja, siç u përgjigj Berisha në 21 janar”, tha Basha, duke akuzuar Berishën për krimin.
Deklarata u lexua si një mesazh dhe paralajmërim i Bashës për të rrëfyer në SPAK detajet e krimit të 21 Janarit, pengimin e drejtësisë, manipulimin e pronave, sajimin e puçit etj, nga Sali Berisha. Mesazhit të Bashës për 21 Janarin, Berisha u përgjigj duke pohuar se nuk e dinte se ku kishte qenë Basha gjatë orëve të protestës dhe në momentet, gjatë dhe pas vrasjeve.
“Unë kam qenë duke drekuar me ambasadoren gjermane dhe jam kthyer e nuk kam lëvizur nga zyra për asnjë moment. Ka edhe një fakt tjetër që zyra është qëlluar me plumba dhe gurë. Se ku ka qëndruar Lulzim Basha nuk e di. Ministri i Brendshëm është bërë skllav dhe peng i Edi Ramës. Tregon narrativën e tij. Për 21 janarin gjithçka kam ditur e kam thënë dhe e them. Për ’97? Ai lexoi atë pjesë që i çoi Rama me Endri Fugën”, ka pohuar Berisha.
Si nisi e ngjarja?
E gjitha u nis pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste. Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.
Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.
Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.
Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.