Gjithçka ka parë përplasja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës në këto muaj luftë për karrigen e Partisë Demokratike, përplasja e cila nisi që më 9 shtator kur Lulzim Basha komunikoi pezullimin e ish-Kryeministrit nga grupi parlamentar. Pas asaj që ndodhi më 8 janar, 3 orët e rënda të sulmit në selinë e PD, kur mbështetës të Berishës shqyen dyer e dritare dhe u futen me dhunë në parti deri në ndërhyrjen e policisë, të dy liderët përfunduan në prokurori të detyruar të dëshmojnë se çfarë ndodhi, tashmë ‘ujërat janë qetësuar disi’ dhe fusha e betejës është bërë baza e partisë.
Të dy sot kanë parashikuar në të njëjtën orë takime në qytete të ndryshme me demokratët. Ish-Kryeministri Sali Berisha do të takohet sot me demokratët e Shkodrës në orën 11:00 në “Pallatin e Sporteve”.
Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të bashkëbisedojë me mbështetësit e tij në Fier, takimi i dytë ky në bazë pas një takimi në Dibër.
Kujtojmë se dje Lulzim Basha, pasi i përjashtoi mbështetësit e Berishës nga PD, njoftoi zëvendësimin e tyre ne komisionet parlamentare. Duke qenë se Enkelejd Alibeaj, vendoset kreu i grupit parlamentar të PD, ai largohet nga nënkryetar i Kuvendit dhe postin e tij e zë Alfred Rushaj. Përjashtimi i Albana Vokshit nga PD, ka bërë që vendin e saj si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë ta zërë Grida Duma. Kryetare e Komisionit të Arsimit vendoset Flutura Açka, e cila zëvendëson Agron Gjekmarkajn. Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve vendoset Dhurata Çupi, që zëvendëson Flamur Nokën.
Ndryshime janë bërë edhe në sekretariatet, ku Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar), Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar), Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar), Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar). Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Luzlim Basha tha se vendimi për përjashtimin e Berishës dhe organizatorëve të dhunës ishte i vështirë, por i duhur. Kryedemokrati e cilësoi 8 janarin si “vijën e kuqe” ku u bë ndarja përfundimtare me nxitësit e dhunës.
Ndërkohë që pak orë para tij Sali Berisha e rriti stekën e akuzave ndaj ish-birit të tij politik. Akuza e radhës ka të bëjë me një prej bizneseve me fitimprurëse, atë të lojërave të fatit. Nga Lezha ish-Kryeministri tha se Qeveria i mbylli në fillim të vitit 2019 pasi ia kaloi online ato një kompanie në Qipro, pronare e së cilës është me 80% të aksioneve bashkëshortja e kreut të opozitës, Aurela Basha. Partia Demokratike reagoi pas këtyre akuzave, duke i konsideruar gënjeshtra, ndërsa cilësojnë Berishën si ‘mashtrues kronik’.