Kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosur të mbledhë Grupin Parlamentar të PD-së mesditën e sotme pas vendimeve të bujshme të marra gjatë mëngjesit të sotëm, të cilat kulmojnë me përjashtimin përfundimtar të Sali Berishës nga partia.
Krahas tij, u përjashtuan të gjithë anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, si Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu, Keltis Kruja, Bujar Nishani dhe Edmond Spaho.
Krahas tyre, kryesia e PD-së zhveshi nga të gjitha detyrat në parti Tritan Shehun; Bujar Leskajn Edi Palokën; Aldo Bumçin dhe Agron Shehajn.
Pritet që Basha të informojë deputetët në lidhje me shkaqet që çuan në vendimin e mëngjesit të sotëm të kryesisë së PD-së për përjashtimin e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij nga partia.
Në qëndrimin zyrtar të bërë publik mëngjesin e së martës, PD sqaron se vendimet u morën pasi kanë kaluar 48 orë nga 8 janari dhe nuk është bërë asnjë akt distancimi nga “dhuna e paprecedentë” që sipas asaj që thuhet në deklaratë “u urdhërua, organizua dhe u nxit nga disa anëtarë të partisë, ndaj partisë së tyre dhe anëtarëve të Partisë Demokratike.”
Tashmë pritet që shumë shpejt në ditët në vijim të mblidhet Këshilli Kombëtar për të vulosur vendimet e marra më 10 janar.