Një orë para protestës së thirrur nga Sali Berisha, Lulzim Basha do të mbledhë në selinë e PD Kolegjin e Kryetarëve, ku do të diskutohet mbi zbatimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit. Pas takimit me Kolegjin e Kryetarëve, Basha do të mbledhë edhe Kryesinë për të miratuar programin e diskutuar nga Kolegji.
Kujtojmë se në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit u rrëzuan vendimet e dala nga Kuvendi i 11 dhjetorit i Berishës, përfshirë edhe shkarkimin e Bashës, ndërsa u miratua edhe ndalimi i çdo personi të shpallur ‘non grata’ në PD që të jetë pjesë e pozicioneve drejtuese në parti.
“Të nderuar Kryetarë,
Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë”, thuhet në mesazhin e dërguar nga Gazment Bardhi.