Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij në takimin që po zhvillon këtë të diel në Fier tha se fakti që i është borxhli gjithë demokratëve e bëri që shpesh t’i bënte thirrje Sali Berishës që ‘t’i thërriste mendve të kokës’ por sipas tij ish-Kryeministri e kaloi vijën e kuqe më 8 janar.

“Ti thërriste mendve të kokës dhe të mos vendoste interesat e veta mbi interesat e demokratëve. Më 8 janar në kundërshtim me thirrjet tona u kalua një vijë e kuqe që na ndan dhe që duhet të na ndajë një herë e përgjithmonë. Dhuna nuk është mjet i demokratëve.

Me dhunë as nuk shantazhohen dhe as nuk detyrohen demokratët dhe as institucionet e demokratëve. As kryetari, as këshilli, as vetë degët. Nuk i përgjigjet dhunës asnjë demokrat. Përgjigja jonë ndaj dhunës së qeverisë ka qenë dhe do të jetë e fuqishme, por brenda shtëpisë sonë, askush s’mund t’i vendoset tjetrit”, tha Basha.