Bashkia e Tiranës vijon që t’u ofrojë strehë dhe të gjitha kushtet e nevojshme në qendrat sociale qytetarëve në situatë rruge apo që janë në vështirësi.

Për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë, skuadrat e Bashkisë monitorojnë edhe gjatë orës së natës. Pasi identifikojnë raste të tilla, i dërgojnë në Strehëzën e Tiranës. Aty u ofrohet strehim dhe ushqim.

“Pritet nga stafi psiko-social, ofrohet ushqim, strehim dhe behet vlerësimi më i thellë i rastit. Në bashkëpunim me qendrat komunitare zhvillohet plani afatgjatë për integrimin e rastit. Qëllimi është që rastet te marrin shërbimet e nevojshme për t’u riintegruar në komunitet”, shpjegon drejtoresha e Qendrës Komunitare të Terrenit, Aida Isaraj.

Gjatë këtyre ditëve të ftohta është më i madh numri i personave që kanë nevojë për t’u strehuar në qendër, momentalisht janë 28 të tillë.

“Në terren bëjmë monitorim ne 24 orë në 7 ditë të javës, merren raportime te ndryshme. Mund te ketë më shumë se 5 raste në ditë, sidomos në këto ditë të ftohta numri i rasteve është edhe më i madh”, deklaron Aida Isaraj për TCH.

Përmes grupeve të terrenit dhe raportimeve të qytetarëve, në dy vitet e fundit është ulur numri i të pastrehëve në rrugë.