Christian Eriksen u rikthye të fliste para kamerave për herë të parë në më shumë se 6 muaj, duke thyer një heshtje që zgjati për shkak të problemit serioz që pati në zemër 12 qershorin e kaluar, gjatë ndeshjes së “Euro 2020” midis Danimarkës dhe Finlandës:
“Ishte e pabesueshme që njerëzit ndjenë nevojën të më shkruanin dhe të më dërgonin lule. Ajo që më ndodhi preku shumë njerëz, kjo më bën vërtet të lumtur,” – deklaroi danezi për një televizion të vendit të tij.
Intervista e plotë do të transmetohet të enjten, por Christian donte të ndante një fragment për t’u dërguar një mesazh fansave të tij:
“Kur u shtrova në spital, më thanë se vazhdoja të merrja lule dhe m’u duk e çuditshme që dikush donte ta bënte këtë sepse unë vdiqa për pesë minuta. Ishte e jashtëzakonshme dhe një ndihmë e madhe për mua që mora të gjitha ato urime për një shërim të shpejtë. Akoma më shkruajnë. Doja t’i falënderoja të gjithë: mjekët, shoqëruesit e mi dhe familjarët e tyre… Por më duhet të falënderoj gjithashtu të gjithë fansat që më kanë dërguar mijëra letra dhe “email”-e ose që më janë afruar në rrugë, si në Danimarkë ashtu edhe në Itali. Mbështetja që kam marrë nga e gjithë bota më ka ndihmuar për ta kaloj këtë moment”.
Më pas Eriksen u ndal tek e ardhmja: “Qëllimi im është të luaj në Botërorin “Katar 2022”, ky ka qenë objektivi im që në fillim. Është një ëndërr. Fizikisht jam në formë të mirë, tani dua të luaj futboll dhe të tregoj se jam kthyer në të njëjtin nivel si më parë. Dua të kthehem në kombëtare, në “Parken”. Zemra ime nuk është pengesë”./SS