Nga Adriatik Doçi
Ditët e fundit, jo rastësisht, Sali Berisha dhe Ilir Meta, po nxitojnë të ekspozohen si anti-rusë, duke kritikuar qeverinë shqiptare, për qëndrim pasiv në raport me situatën e tensionuar në Ukrainë, e cila është para një rreziku serioz për t’u pushtuar nga Rusia e Vladimir Putinit.
Shqipëria është pjesë e NATO-s. Dhe NATO është sot fuqia më e madhe ushtarake mbi tokë, rrjedhimisht edhe pengesa kryesore e planeve okupuese të Vladimir Putinit, i cili ka mbështetjen e Kinës, disa shteteve satelite dhe segmenteve në Ballkan, kryesisht në Beograd, por edhe në Athinë.
Kolona kryesore e NATO-s janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, Sali Berisha dhe Ilir Meta, po kritikojnë në mënyrë të tërthortë SHBA dhe NATO se nuk po mbrojnë Ukrainën nga ushtria e Putinit, pasi ushtria modeste shqiptare nuk ka asnjë hapësirë për të mbrojtur Ukrainën jashtë kornizës së NATO-s.
Po cila është arsyeja dhe trazimi i brendshëm që kanë shtyrë Sali Berishën dhe Ilir Metën, në këtë marrëzi, në tentativë për t’u shfaqur ‘më Katolik se Papa’?!
Sali Berisha dhe Ilir Meta janë politikanët më të famshëm anti-amerikanë në Shqipëri dhe Ballkan, duke tejkaluar edhe ata të Beogradit, të bombarduar dy dekada më parë nga NATO. Sipas parimit ‘armiku i armikut tim është miku ik’, Sali Berisha dhe Ilir Meta perceptohen sot si aleatët kryesorë të Putinit në Shqipëri, i cili përbën kërcënimin kryesor për Evropën dhe Perëndimin në tërësi.
Dhe ky perceptim është i bazuar në disa fakte dhe rrethana. Nuk ka logjikë politike dhe diplomatike që dy anti-amerikanët më emblematikë në Shqipëri të jenë njëkohësisht edhe dy anti-rusët më të thekur në Shqipëri. Sali Berisha është klasifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në listën e zezë për korrupsion domethënës, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri.
Sali Berisha është paralajmëruar për sanksione shtesë nga Perëndimi, ndërsa aleati i tij Ilir Meta është shkarkuar nga Kuvendi për provokimin e cenimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm tre ditë më parë, SHBA ka paralajmëruar sanksione personale edhe për Vladimir Putin.
Sali Berisha dhe Ilir Meta udhëheqin që nga viti 2018 një front kundër Perëndimit në Shqipëri, front i cili përkon me interesat e hershme dhe investimin e Putin për të krijuar rryma anti-amerikane në Ballkan, për të përçarë Evropën dhe dobësuar influencat e Perëndimit.
Sali Berisha dhe Ilir Meta janë dy politikanët e vetëm në Shqipëri, të cilët kanë organizuar protesta kundër rolit të SHBA-ve në Shqipëri dhe angazhimit të SHBA-BE për reformën në drejtësi, protesta të kamufluara gjoja kundër Vuçiç dhe një komploti imagjinar ndërkombëtar kundër tyre, përmes reformës në drejtësi.
Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë ndarë me Putin edhe entuziazmin e përbashkët për tërheqjen e amerikanëve nga Afganistani, duke e lexuar largimin si një shenjë dobësie, dështimi dhe humbje influencash nga SHBA.
Tre politikanë sot kërcënojnë me ultimatume SHBA-të. Sali Berisha kërcënon me trazira për t’i hequr emrin nga lista e zezë. Ilir Meta ka deklaruar se do të presë me gjoks raketat amerikane tek Mali me Gropa. Vladimir Putin kërcënon SHBA se do të përballet me raketat ruse.
Kërcënimet e Sali Berishës dhe Ilir Metës ndaj SHBA sigurisht që janë qesharake në raport me kërcënimet e Putin. Megjithatë, përveç luftës kundër Perëndimit, dy butaforikët e Tiranës dhe Vladimir Putinin i bashkon eliminimi i mendimit ndryshe, zhdukja fizike e kundërshtarëve, urdhrat për vrasje, shantazhi, blofi, fiksimi për përgjimeve, korrupsioni etj.
Sigurisht që mes tyre nuk ka një marrëbeshje të shkruar. Por hija e zezë e kësaj aleance me Putinin, në një front kundër Perëndimit, po i shtyn Ilir Metën dhe Sali Berishën në marrëzi politike, duke vajtuar nga mejhanet e Tiranës fatin e Ukrainës, për t’u dukur si anti-rusë, për të mjegulluar pozicionin e tyre në krahun jo të duhur të historisë.