Ish-kryeministri Sali Berisha, është ndalur këtë të dielë në Vaun e Dejës për ‘Foltoren’ e radhës me demokratët. Berisha u shpreh se kreu i PD, Lulzim Basha ka degraduar pasi ka mashtruar qytetarët para kamerave ndërsa shtoi se organizatat kriminale marrin vendime në Parlament.
Berisha ditën e sotme e quajti të rëndësishme për PD-në, ndërsa deklaroi se në 6 bashkitë, Durrës, Shkodër, Peshkopi, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë, anëtarët e PD votojnë dhe zgjedhin kandidatin për të garuar në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Berisha tha se primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve të qytetarëve ndërsa shtoi se qytetarët së shpejti do zgjedhin edhe kryeministrin e tyre.
“Do zgjidhni jo vetëm kryetarët e bashkive, por këshilltarët, deputetët tuaj, por në një të ardhme të afërt do zgjidhni edhe kryeministrin tuaj. Merr fund praktika korruptive dhe autoritare, praktika e emërimeve nga lart, e zarfeve dhe pakove me euro për të fituar emërimin. Emërimi do jetë atribut i vullnetit tuaj të lirë për çdo zyrtar që ju përfaqëson ju.”-tha Berisha.
Akuzat ndaj Lulzim Bashës nuk munguan, ku Berisha tha se ‘Lul Brava’ degradoi në atë shkallë sa para kamerave të televizioneve i tha shqiptarëve se aty ku ishin 1958 karrige janë të ulur 5004 delegatë dhe 5004 vota, duke ju referuar Kuvendit të kreut të PD më 18 dhjetor.
“Primaret rikthejnë te anëtarësia votën e lirë. Rikthen dinjitetin e tyre. Njeriu që nuk voton i lirë, ka dinjitetin të shkelmuar dhe ju këtë nuk e meritoni kurrë. Njeriu që nuk voton i lirë, ndërgjegjen e tij e ka të lënduar sepse i detyrohet, imponohet të besojë apo të pranojë ato që i dikton bosi i tij tashmë i larguar nga vlerat e lirisë. Së fundmi, kurrë Partia Demokratike nuk do respektonte votën e lirë të shqiptarëve nëse nuk respekton votën e lirë të anëtarëve të saj. PD nuk do ishte një forcë demokratike nëse nuk respekton këtë votë të lirë. E konsideroj një arritje shumë të madhe, të cilën ju garantoj se e kemi në hapat e para. Ky proces na u imponua me emergjencë kohore, sepse në primaret e tjera për deputetë, kryetar bashkie, këshilltar, nuk do votojnë vetëm anëtarët e PD, por të gjithë votuesit e saj.”-tha Berisha.