Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi të martën për pasoja “të rënda” dhe “të mëdha” për presidentin rus, Vladimir Putin, përfshirë sanksionet personale kundër tij, nëse udhëheqësi rus mobilizon rreth 127,000 trupa që janë gati për të goditur përgjatë kufirit ukrainas.
“Unë ia kam bërë të qartë presidentit Putin që në fillim, se nëse ai do të hyjë në Ukrainë, do të përballet me pasoja të rënda, duke përfshirë sanksione të rëndësishme ekonomike, si dhe do të ndjehesha i detyruar të forcojë praninë tonë, praninë e NATO-s, në frontin lindor, në Poloni, Rumani, etj”, tha presidenti Biden, duke shtuar se “nëse ai do të hynte (në Ukrainë) me të gjitha ato forca, do të ishte pushtimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Do ta ndryshonte botën”.
Ai gjithashtu theksoi se asnjë nga 8,500 trupat amerikane të vëna në gatishmëri të lartë këtë javë, nuk do të vendoset në territorin ukrainas dhe ato do të vendosen si pjesë e një operacioni të NATO-s, jo një operacioni vetëm të Shteteve të Bashkuara. Ai nuk tha se kur do të mund të urdhëronte vendosjen e trupave në rajon.
Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara e kanë “detyrim të shenjtë” t’u vijnë në ndihmë aleatëve të NATO-s, që përballen me kërcënime. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s – edhe pse dëshiron të jetë. Megjithatë, Rusia fqinje e sheh anëtarësimin e mundshëm në NATO si një kërcënim dhe ka kërkuar që aleanca të mos anëtarësojë Ukrainën. Presidenti rus Putin ka thënë se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën, por e sheh zgjerimin e NATO-s drejt lindjes si një kërcënim.
“Unë kam folur me secilin nga aleatët tanë në NATO… virtualisht. Jemi të gjithë në një vijë”, tha presidenti Biden. “Duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë arsye që askush, asnjë anëtar i NATO-s, të shqetësohet nëse … ne, NATO-ja, do t’i dilnim në mbrojtje apo jo”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, shfrytëzoi një fjalim televiziv të martën për të bërë thirrje për qetësi në Ukrainë.
“Nuk ka syze ngjyrë rozë, nuk ka iluzione fëmijërore, asgjë nuk është e thjeshtë. Por, ka shpresë”, tha presidenti Zelenskiy. “Mbroni trupin tuaj nga viruset, trurin tuaj nga gënjeshtrat, zemrën tuaj nga paniku”.
Presidenti Zelenskiy tha se po bëhen plane që ai të takohet me udhëheqësit e Rusisë, Gjermanisë dhe Francës. Zyrtarë nga të katër vendet takohen të mërkurën në Paris.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të martën se do të kërkojë sqarime rreth synimeve të Rusisë, gjatë një telefonate me presidentin Putin, të planifikuar për të premten.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha të martën duke u përgjigjur në një pyetje të Zërit të Amerikës, se forcat ruse janë rritur “në mënyrë të vazhdueshme”, por jo “dramatike”.
“Kemi parë një grumbullim të vazhdueshëm të fuqisë luftarake nga rusët në pjesën perëndimore të vendit të tyre, rreth kufijve me Ukrainën dhe Bjellorusinë”, tha zëdhënësi Kirby.
Më herët gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë se do të përballet me pasoja më të shpejta dhe shumë më të rënda ekonomike nëse pushton Ukrainën, sesa kur Moska aneksoi siujdhesën ukrainase të Krimesë në vitin 2014.
“Ne jemi të përgatitur të zbatojmë sanksione me pasoja masive që nuk u morën parasysh në vitin 2014”, u tha gazetarëve në Uashington, një zyrtar i sigurisë kombëtare. “Kjo do të thotë se qasja shkallë-shkallë e së kaluarës ka marrë fund. Këtë herë, ne do të fillojmë në krye të shkallës dhe do të qëndrojmë atje”.
Zyrtari i sigurisë, që foli me kushtin që të mos identifikohet, tha se Shtetet e Bashkuara janë “gjithashtu të përgatitura të vendosin kontrolle të reja ndaj eksporteve”, për të penguar ekonominë ruse.
Ai tha se mundësitë e kontrollit të eksporteve, që po shqyrtohen së bashku me aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara, do të godasin shumë ambiciet strategjike të presidentit Putin për të industrializuar ekonominë e tij dhe do të dëmtonin fushat që janë me rëndësi për të, qoftë në inteligjencën artificiale, informatikën kuantike, qoftë mbrojtjen, apo hapësirën dhe sektorë të tjerë thelbësorë”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët vendosën sanksione më pak të rënda ekonomike kundër Moskës pas aneksimit të Krimesë, por ato përfundimisht dolën të pafrytshme dhe gadishulli mbetet nën kontrollin rus.
Ndërkohë, Rusia tha se po e ndjek “me shqetësim të madh” vendimin për të vënë trupat amerikane në gatishmëri të lartë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti para gazetarëve akuzat ruse se Shtetet e Bashkuara po përshkallëzojnë tensionet në krizën përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë, ku presidenti Putin ka vendosur rreth 127,000 trupa.
Kërkesa e Rusisë që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në NATO, është hedhur poshtë nga udhëheqësit perëndimor, të cilët thanë se nuk do t’i japin Moskës fuqinë e vetos mbi atë se kush i përket aleancës ushtarake prej 30 vendesh, e cila u themelua për t’iu kundërvënë agresionit sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore./VOA