Boris Johnson ka qenë shpesh objektiv i karikaturistëve. Ata kanë marrë edhe më tepër material pas festave të kryeministrit britanik në kundërshtim me rregullat anti-COVID. Talljet u shtuan pasi Johnson deklaroi se nuk e dinte që disa nga grumbullimet ishin të ndaluara. Martin Rowson është karikaturist për gazetat Guardian dhe Daily Mirror. Një nga veprat e tij tregon mbretëreshën Elizabeth II të veshur me një maskë gazi për të mbrojtur veten nga era e qeverisë konservatore dhe Johnson duke u mbytur në një moçal prapa. Vepra u frymëzua nga fotot e mbretëreshës me një maskë të zezë në funeralin e Princit Philip, një ditë pasi qeveria pretendohet se kishte organizuar një festë.

“Në momentin që unë dorëzoj karikaturën, historia mund të ketë ndryshuar plotësisht, prandaj unë gjithmonë lë një boshllëk. Kështu shtoj lajmet e minutës së fundit,” – u shpreh Rowson. Liderët britanikë të shekullit të 20-të janë të pranishëm në Muzeun e Karikaturave të Londrës, duke përfshirë ish-kryeministrat Theresa May dhe David Cameron. Koordinatori i muzeut, Steve Marchant tha se Johnson në veçanti, ishte një “dhuratë” për karikaturistët.

“Gjithçka që duhet të bëni është të vizatoni një vezë me pak kashtë sipër që keni Borisin përpara se të përpiqeni të vizatoni fytyrën,” – tha Marchant. Dhe nuk janë vetëm karikaturat që përdoren për të kritikuar dhe tallur Johnson. Oliver Knowles është anëtar i një grupi të quajtur “Led by Donkeys”. Ai ka krijuar një video ku disa detektivë po pjekin në skarë kryeministrin britanik, ndërsa po e marrin në pyetje për festat e organizuara.