Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ia ka bërë sot të qartë Serbisë se progresi i të drejtave të njeriut në sundimin e ligjit dhe normalizimi me Kosovën do të vendosë për ritmin e negociatave të mëtutjeshme të para-anëtarësimit të saj në BE.
Ai pas një takimi me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiq në Bruksel, ka theksuar se presin që Beogradi dhe Prishtina t’i përmbushin obligimet e tyre, se të dyja palët duhet t’i përmbushin gjërat që janë marrë vesh.
“Ne folëm për dialogun që po ndërmjetësojmë. Presim që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në dialog dhe të vazhdojnë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Progresi i të drejtave të njeriut në sundimin e ligjit dhe normalizimi me Kosovën do të vendosë për ritmin e negociatave të mëtutjeshme të para-anëtarësimit”, tha Borrell.
Ai shtoi se duhet të krijohen kushte që dialogu i mëtejshëm të përmbahet nga veprimet dhe retorika të pakoordinuara.
Kryediplomati evropian bëri të qartë se Serbia nuk ka vend në BE duke festuar krimet e luftës dhe duke i dhënë mbështetje gjenocidit dhe kriminelëve të luftës.
“Dëshiroj të theksoj sa vijon – nuk ka vend në Evropë duke mohuar gjenocidin, nuk ka vend në Evropë duke festuar krimet e luftës dhe kriminelët e luftës, nuk ka vend në Evropë për të mbështetur publikisht ata që mbështesin gjenocidin dhe festojnë krimet e luftës, të cilët minojnë integritetin e vendeve”, tha ai. /KosovaPress/