Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar thonë se kanë krijuar një test të ri më të ndjeshëm PCR për COVID-19. Në ndryshim nga testet akuale PCR, testi i ri rezulton pozitiv vetëm nëse virusi vazhdon të jetë ngjitës. Ky zhvillim vjen rreth më pak se një ditë pas njoftimit të qeverisë britanike për reduktimin e numrit të ditëve që njerëzit duhet të izolohen, në vetëm pesë ditë.
Shkencëtarëve në universitetin ‘Exeter’ iu kërkua të prodhonin një test PCR më të ndjeshëm nga ato në qarkullim. Ata përshtatën testin ekzistues dhe e aplikuan atë në mostrat e marra nga 176 pacientë të shtruar në spital, për të zbuluar nëse virusi ishte potencialisht ende aktiv.
Testet PCR, me të cilat jemi familjarizuar gjatë pandemisë, zbulojnë materialin gjenetik nga një organizëm specifik, siç është koronavirusi. Problemi është se testi jo vetëm që zbulon praninë e një virusi nëse jemi të sëmurë me COVID-19 apo nëse jemi infektues në atë periudhë, por ai gjithashtu mund të zbulojë fragmente të virusit edhe pasi nuk jemi më infektues.
Sipas Lorna Harries, Profesoreshë e Gjenetikës Molekulare, në Universitetin e Shkollës Mjekësore ‘Exeter’, testi i prodhuar në këtë laborator funksionon paksa ndryshe. Ai është pozitiv vetëm kur je ende infektues.
“Një test normal PCR është në thelb si një fotokopje molekular, kështu që kërkon praninë e materialit gjenetik të virusit, e përforcon atë dhe e mat në mënyrë që të mund ta shihni nëse është aty ose jo. Testi konvencional nuk bën dallimin mes virusit, i cili është aty dhe aktiv, dhe virusit që ka mbetur pas infektimit. Testi ynë është pak më ndryshe. Ai kërkon posaçërisht për atë pjesë të virusit, që është i pranishëm vetëm kur ai është duke u ndarë në mënyrë aktive, ndaj ai e zbulon virusin vetëm kur ai është aktiv”, thotë ajo.
Zonja Harries dhe ekipi i saj filluan të punonin mbi testin e ri PCR, në fillim të pandemisë, që do të thotë se studimi i tyre i botuar në revistën mbi sëmundjet infektive (Journal of Infectious Diseases) nuk përqëndrohej tek variantet e reja, por kryesisht tek ajo se sa infektues ishin njerëzit pas dhjetë ditësh. Kjo ishte dhe kohëzgjatja që u këshillohej njerëzve që të izoloheshin, në fillim të pandemisë.
Zonja Harries thotë se studimi që ekipi i saj sapo ka përfunduar është i rëndësishëm për periudhën e re të izolimit prej pesë ditësh, e sapo shpallur nga qeveria britanike, pasi mostrat janë testuar në periudha të ndryshme.
“Në pesë ditë, një në tre (persona), pra një e treta e njerëzve ka të ngjarë të qarkullojnë me nivele ndoshta shqetësuese të virusit aktiv. Ndaj mendoj se në fakt PCR-i ynë është shumë i rëndësishëm”.
Zonja Harries beson se testi i prodhuar nga Universiteti ‘Exeter’ mund të përdoret si një mjet diagnostikues për të mbrojtur njerëzit më të prekshëm.
“Gjatë pandemisë në fakt shumica dërrmuese e vdekjeve kanë ndodhur në azile, ndoshta për shkak të zbehjes së imunitetit të siguruar nga vaksina, ndaj mendoj se testi ynë mund të jetë diçka me vlerë, duke ofruar më shumë siguri”.
Profesor Lawrence Young, nëndrejtor i Shkollës Mjekësore në universitetin ‘Warwick’ beson se nuk ka nevojë të ofrohen teste të reja PCR, për popullatën e përgjithshme.
“Nuk shoh ndonjë vlerë në përdorimin e këtij lloj testi PCR si pjesë të procedurave standarde. Mendoj se testet aktuale janë të mjaftueshme. Ky test është i dobishëm në përpjekjen për të dalluar kopjimin (e virusit) pra që të jemi në gjendje të kuptojmë më mirë se për sa kohë njerëzit janë infektues, duke pranuar sigurisht se me përdorimin e PCR-ve aktualë mund të rezultoni pozitivë për një kohë mjaft të gjatë edhe pasi të jeni shëruar nga infeksioni me COVID. PCR-i zbulon vetëm pjesë të vogla të virusit që nuk kanë të bëjnë fare me të qenit infektues, ndërsa ky test i ri arrin ta dallojë një gjë të tillë. Megjithatë mendoj se për qëllime të vetizolimit, testet e thjeshta janë mjaft të mira”.
Në Britaninë e Madhe ka patur kundërshti rreth kohëzgjatjes që u kërkohej njerëzve të vetizoloheshin pas infektimit me COVID-19, kryesisht nga bizneset, që janë ankuar për mungesë personeli, shkaktuar pjesërisht nga njerëzit e detyruar të karantinohen. Zonja Harries thotë se zgjatja e periudhës së ilozimit nuk është një gjë që ka gjetur mbështetje. Ajo shton se kur qeveria merr vendime mbi këtë çështje ajo përqiqet të krijojë një ekuilibër mes ndalimit të transmetimit të virusit nga njëra anë, dhe vazhdimit të rrjedhës normale të jetës./VOA