44 vite mbi supe, por Gianluigi Buffon as që ka ndërmend të ndalet. Portieri italian zgjodhi të kthehej te Parma verën e kaluar, për të ndihmuar ekipin ku u bë i famshëm dhe fitoi trofetë e parë, që këtë sezon po garon në Serie B.
Buffon ka kontratë deri në verën e vitit 2023 me klubin emilian. Të gjithë e pyesin se kur do të tërhiqet nga futbolli, dhe ajo ditë është larg. “Do të luaj deri në moshën 50-vjeçare.
Nëse Italia nuk kualifikohet në Botërorin e Katarit, unë do të synoj Botërorin e radhës kur të jem 48 vjeç”, deklaron legjenda e portës italiane për Gazzetta dello Sport në 44-vjetorin e lindjes.
“Gardiani” ëndërron të marrë pjesë në një tjetër Kupë Bote me Italinë, që do të ishte e gjashta për të si askush tjetër në historinë e lojës më të bukur me top.
Buffon është akuzuar për vënie bastesh të paligjshme. Ai e ka një përgjigje për këtë çështje, teksa vlerëson Dusan Vlahovic, sulmuesin për të cilin Juventusi do t’i paguajë 75 milionë euro Fiorentinës.
“E pranoj, kam vënë baste, por jo ndeshje futbolli. Asnjëherë nuk kam shitur ndeshje. Vlahovic? Juventusi ka marrë lojtarin e ri më të mirë në botë bashkë me Haaland dhe Mbappe”.