Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën në darkë ka publikuar disa pamje nga ajo çfarë la pas protesta e sotme e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se kjo ishte një shfaqje e shëmtuar dhune, ku Sali Berisha vulosi ditën e tij të fundit në politikë.
“Shumica absolute e demokratëve e braktisi atë dhe kriminelët me të cilët kërkoi të shkatërronte Partinë Demokratike”, tha Basha.
Ai theksoi se demokratët sot qëndruan me vendosmëri dhe qytetari në mbrojtje të Shtëpisë së Lirisë, si shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim.
Me qindra përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha sulmuan sot dhe dëmtuan rëndë selinë e Partisë Demokratike.
Protesta e thirrur nga ish-kryeministri Berisha kundër kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, u bë menjëherë e dhunshme, ndërsa policia ndërhyri për të rivendosur sigurinë.
Policia e shtetit ndërhyri për të ndërprerë protestën e dhunshme, që zhvilluan për mbi tre orë disa qindra ndjekës të ish kryeministrit Sali Berisha kundër Partisë Demokratike të opozitës, duke shkatërruar selinë qendrore të saj.
Policia bëri të ditur se ndërhyrja e saj u kërkua nga deputetët e opozitës, që ndodheshin brenda ndërtesës, të cilët njoftuan se po u rrezikohej jeta nga goditjet dhe sulmet e vazhdueshme të protestuesve.
Situata në selinë e Partisë Demokratike u qetësua pasi policia ndërhyri me kërkesë të deputetëve, që ndodheshin brenda saj, të cilët kishin deklaruar se ndjeheshin të kërcënuar nga sulmi i dhunshëm i mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha.
Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, duke shpërndarë pjesëmarrësit, morën nën kontroll situatën jashtë dhe brenda selisë së Partisë Demokratike, ndërsa prokuroria e kryeqytetit e rrethoi zonën si një skenë krimi dhe po dokumenton aktet e dhunës, e ndërkohë kanë nisur edhe arrestimet e para të autorëve të dhunës.
Pasi njësitë speciale morën kontrollin e godinës, oborri dhe e gjithë zona përreth u boshatis, veçanërisht pas përdorimit të gazit lotsjellës.
Protesta e sotme shënoi kulmin e një lëvizje që Berisha ndërmori ndaj kryetarit Basha, pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar, për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara që e shpallën non grata ish-kryeministrin shqiptar.