Dritarja e Doktorit këtë herë solli disa këshilla që na ndihmojnë si të mbrohemi nga viruset dhe gripi përmes ushqimit të shëndetshëm. Në një intervistë mjekja nutricioniste, Matina Çobo theksoi se dieta jonë ushqimore është arma kryesore që na forcon imunitetin në këtë periudhë të vështirë për shëndetin.

“Në fakt dieta jonë ushqimore është indikatori kryesor i të gjithë shëndetit tonë jo vetëm për mirëmbajtje peshe, për dobësim apo për shtim peshe, por realisht ushqimi ynë është mjekimi ose baza e shëndetit tonë të përgjithshëm.

Në sezonin e dimrit ne duhet të tregojmë një kujdes edhe më të madh në përzgjedhjen e produkteve ushqimore. Përveç vitaminës C, që njerëzit mendojnë se është elementi i parë që nevojitet për të përballuar gripërat ose virozat e ndryshme të stinës. Sigurisht nevojitet vitamina D dhe zakonisht njerëzit zgjedhin që të suplementojnë në dimër, nevojitet zinku, vitamina A dhe shumë vitamina të tjera.

Këto janë vitamina që mund të merren nëse ne kujdesemi për dietën tonë që të jetë sa më e larmishme. Kjo do të thotë që në stinën e dimrit të mos i ndajmë frutat citrike si portokalli limoni.” u shpreh Çobo për Dritarja e Doktorit./dritare.net