Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli i ftuar në News 24 lidhur me situatën në FSHF tha se Armand Duka duhet të japë dorëheqjen dhe se futbolli ka nevojë për një ndryshim rrënjësor.

“Të drejtën për të bërë futboll ta jep ministri i sportit dhe në qoftë se ti nuk je në rregull dhe ke shkelje të hedhin në gjyq.

Ne kërkojmë që në Federatën e futbollit të ketë proçes të rregullt, të drejtë, transparent. Njerëzit e Federatës shkojnë i bëjnë presion delegadëve. Si njeri i sportit që jam dua që të gjithë federatat që bëjnë zgjedhje, të jenë transparente. Pse sporti duhet të njolloset, mua nuk më intereson se është Z. Duka apo dikush tjetër. Duka duhet të dorëhiqet sepse u bë 20 vjet aty. Edhe Platinia i kishte votat, edhe Blateri i kishte votat po ku përfunduan tani? Votat i kanë këta, por duhet të japin përgjigje para drejtësisë”, theksoi Ylli.

Ylli theksoi se kryebashkiaku Erion Veliaj është në të drejtën e tij në debatin për FSHF-në, pasi është aksioner në klubin e Tiranës dhe kësisoj interesohet për menaxhimin e fondeve dhe të mirave që investohen për sportin në territorin e kryeqytetit.