Reshjet e dendura të dëborës kanë goditur qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut dhe mbyllje të aeroportit.
Reshjet e mëdha të borës që përfshinë qytetin herët në mëngjes shkaktuan bllokime të trafikut në shumë lagje.
Disa pasagjerë dhe automjete kanë mbetur të bllokuar për shkak të borës së madhe.
Shumica e shkollave tashmë janë mbyllur nga dita e sotme për pushimin semestral dyjavor.
Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya njoftoi se për shkak të reshjeve të mëdha të borës rrugët nga Turqia Veriperëndimore për në Stamboll janë të mbyllura deri në njoftimin e ardhshëm.
Yerlikaya po ashtu njoftoi se qendrat tregtare në qytet do të mbyllen në orën 19:30 sipas kohës lokale.
Bashkia Metropolitane e Stamboll më herët njoftoi se 1 300 të pastrehëve u është dhënë strehim nga moti i ftohtë në ndërtesa dhe hotele të ndryshme.
Bashkia po ashtu njoftoi se çdo ditë shpërndanë mbi dy tonë ushqime në 500 lokacione për kafshët endacake.
Për shkak të reshjeve të mëdha të dëborës në qytet edhe megaaeroporti i Stambollit u mbyll për fluturime.
Kompania ajrore turke ”Turkish Airlines” njoftoi se ka pezulluar operimet e saj në aeroportin e Stambollit deri në orën 04:00.
Operacionet në aeroportin ”Sabiha Gökçen”, qendra kryesore ajrore e Stambollit në anën aziatike të qytetit, vazhdojnë, por me 15 për qind të fluturimeve të reduktuara.
Pasagjerët, fluturimet e të cilëve janë anuluar për shkak të reshjeve të borës, po transferohen me autobus nga aeroporti në hotele.