Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka folur sot në një intervistë për Neës 24 për përplasjen me FSHF-në. Kryebashkiaku e cilësoi FSHF-në si një organizatë kriminale, ndërsa nënvizon se në këtë betejë duhet të bëhet pjesë kushdo që e ndjen se sporti duhet çliruar nga kjo mafie. Veliaj tha se nuk do të heqë dorë nga kjo betejë, duke e cilësuar si “beteja e jetës së tij”.

Më poshtë një pjesë nga intervista e kryebashkiakut Veliaj:

“Kush e ndjen që sporti duhet çliruar nga kjo mafie, duhet të bëhet pjesë e kësaj beteje. Më kujtohet historia e kryetarit të bashkisë në Palermo, i cili më tregonte se në fillim mafia e kishte të lehtë sepse paguante lekë për mediat, kishte njerëz influentë nëpër komunitet, bënte edhe bamirësi për të varfërit. Por nuk i hiqte asnjë pjesë të elementit kriminal. Pra ishte një organizatë kriminale. Këta janë një organizatë kriminale. Dikujt i japin disa bileta, dikujt i lidhin një rrogë. Ndaj, kjo betejë nuk mbaron me këto zgjedhje. Kjo do të jetë beteja e jetës sime. Vilari në Spanjë, që ishte Duka i federatës së futbollit në Spanjë, e uzurpoi institucionin për 30 vjet – dhe këtu flas për Spanjën e madhe, të Real Madridit dhe Barcelonës – megjithatë, në një moment, shoqëria veproi, shteti veproi, drejtësia veproi, dhe i tha na bëj transparencë, na trego ku janë paratë! Ti nuk mund të thuash jam një ishull. Politika nuk po përzihet fare sepse unë jam këtu në cilësinë e aksionerit të Tiranës, dhe si investitor i aseteve sportive. Të kesh fusha të mira sportive, të kesh salla sporti të mira, të investosh kaq shumë para, pastaj gjithë talenti dhe kursimet e një gjenerate fëmijësh, në 20 vite, të përfundojë në pularitë e Shijakut, kjo është e shëmtuar. Do t’i shkoj deri në fund. Kur dëgjova që ky personazh kërkon të zgjidhet për herë të 6 me metodat e një bande dhe një kupole mafioze, kjo sigurisht më revolton”, theksoi Veliaj.