Ndonëse ka njëzet vite në krye të futbollit shqiptar, pesë mandate të fituara dhe kandidat për të gjashtin, Armand Duka, ndryshon rregullat e lojës për të ruajtur “mbretërimin” e tij në FSHF.
Hijet e skandalit me abuzimet e fondeve të dhëna nga UEFA dhe FIFA, ka sjellë braktisjen e tij nga mjeshtrat e sportit, të cilët sëfundmi janë shfaqur në krah të Erion Veliajt.
Përballë frikës së humbjes në kryeqytet, Duka ka marrë menjëherë masa duke ulur numrin e delegatëve për Tiranën. Kështu nga 8 delegatë që ka pasur më parë Tirana, Duka ka vendosur që kryeqyteti që ka dhe numrin më të madh të ekipeve sportive të ketë vetëm 6 delegatë.
Për të zbehur edhe më shumë peshën e ekipeve serioze dhe votës së delegatëve të Tiranës ku dhe ndikimi i tij është më i vogël, paralelisht Duka ka rritur peshën e ekipeve më të vogla që blihen mjaft kollaj prej tij.
Më 18 dhjetor të vitit 2020, në Asamblenë e Përgjithshme, të Jashtëzakonshme, të zhvilluar online prej pandemisë, me 56 vota pro dhe një abstenim FSHF ndryshoi statutin. Në mënyrë arbitrare dhe të paqartë skuadrat amatore pranuan dhe miratuan me votë propozimin e Federatës së Futbollit, që ato të mos kishin më të drejtë vote në Asambletë e radhës.
Parimi “Një anëtar, një votë” u hoq. Si rezultat i këtij ndryshimi shoqatave rajonale, të cilat varen drejtpërdrejt nga Federata, iu deleguan votat e shumë klubeve, një “hile” kjo që po betonizon pozitat dominuese të Armand Dukës në krye të Federatës së Futbollit shqiptar.
Gjithçka ndodhi bazuar në nenin 28, paragrafi 2 (b), një tjetër lëvizje për të “blerë” votën e lirë, duke qenë se shoqatat rajonale janë krijuar dhe mbahen gjallë me pagesat e drejtpërdrejta që jepen nga FSHF.
Në këtë nen saktësohet se “numri i delegatëve, që do të përfaqësojnë futbollin amator në Asamble, do të jetë i barabartë me numrin e delegatëve të futbollit profesionist”.
Duke qenë se Kategoria Superiore, me 10 ekipe dhe Kategoria e Parë, me 16 krijonin një total prej 26 delegatësh, edhe Shoqatat Rajonale kaluan nga 8 në 26 vota.
Ndryshimi i balancave të votave nga Asambleja Zgjedhore e vitit 2018 në Asamblenë e fundit është i dukshëm. Nëpërmjet dokumentacionit zyrtar të regjistrimit të shoqatave në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kuptohet që vota e ndikuar nga politika e “klubeve të vogla” është shndërruar në votë të ndikuar nga vetë Federata.
Dokumentet vërtetojnë se, disa trajnerë të Kombëtareve të Moshave apo futbollit të femrave figurojnë të angazhuar direkt dhe paguhen nga FSHF si pjesë e strukturës së tyre.
E njëjta gjë ndodh edhe me zyrtarë të tjerë, që janë të punësuar apo kanë lidhje të ngushta në Federatën e Futbollit.