Nga Mero Baze/ Ka shumë njerëz që janë të fyer pse Sali Berisha nuk është thirrur në Prokurori si organizator i dhunës, por si dëshmitar i saj. Dhe kanë të drejtë. Ka të tjerë që janë të xhindosur, pse e kanë thirrur idhullin e tyre që ka 30 vjet që vret e pret e nuk i hyn gjemb në këmbë. Dhe ata kanë të drejtë, se po u përmbyset bota para syve të tyre.
Por është një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, e cila është në gjendje të krahasojë dy janarët e Sali Berishës, 21 janarin e 2011 dhe 8 janarin e 2022.
Më 21 janar 2011, Sali Berisha vrau katër demonstrues të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur, nën arsyetimin e “grushtit të shtetit”, u përpoq të impononte një pistë vrasjeje duke inkriminuar opozitën dhe në fund kur nuk ja doli dot, fshiu provat dhe shkatërroi procesin e hetimit.
Por qershia mbi tortë që bën diferencën është se ai nuk u thirr kurrë dhe akoma nuk është thirrur edhe sot si dëshmitar apo person në dijeni, për 21 janarin. Në fakt ai ka marrë përsipër verbalisht dhe vrasjet dhe përsëri nuk është thirrur.
Sot ai u thirr, vërtet në mënyrë të padenjë si person në dijeni për ngjarjen, lidhur me dhunën e mbështetësve të tij në sytë e tij dhe nën komandën e tij më 8 janar. Nuk e di çfarë e kanë pyetur brenda dhe çfarë ka thënë, por më mjafton ai momenti kur ai rri ulur para prokurorit, ai e pyet për emrin e babait, nënës dhe pastaj bën atë pyetjen që duket idiote: A je dënuar ndonjëherë?
Dhe ky i ka thënë gjithë krenari “Jo”.
Ky është problemi i madh i këtij njeriu, fakti që sot duhet të thoshte së paku jam dënuar katër herë gjatë këtyre tridhjete viteve, njëherë për zgjedhjet e ’96, njëherë për trazirat e ‘97, një herë për Azem Hajdarin më ’98, dhe një herë për 21 janarin e 2011.
Kjo është krye akuzë për sistemin tonë të drejtësisë.
Kur doli nga Prokuroria nuk mu duk se ja kishte kaluar aq mirë. Dukej i kalbur në fytyrë dhe filloi të flasë për kulla, për miliona të Lulzim Bashës dhe për komplote të SHBA kundër tij. Duket se ajo procedura formale e marrjes në pyetje e kishte destabilizuar, pasi i ishte dukur si një “nxemje” e Prokurorisë për të.
Diferenca mes janarit të 2011 dhe janarit të 2022 ishte pikërisht fakti që ky këtë janar së paku u thirr pa asnjë kompleks.
Dhe fakti që tek dera e Prokurorisë njoftoi se do të rifillojë foltoren e tij nga Shkodra në Vlorë, tregon se ai tani do t’i tregojë Prokurorisë dhe SHBA-së që ka popullin me vete dhe nuk e arrestojnë dot.
Eshtë iluzioni i njeriut që nuk e ka kuptuar ende që është vetëm dhe i pashpresë për të ardhmen e tij. Fakti që më 8 janar nuk mblodhi dot as 1 mijë vetë dhe pasi u zbua me bisht në shalë nga qelia, nuk e çonin këmbët në shtëpi, por u soll rrotull nëpër bulevard dhe erdhi prapë me 20 vetë pas tek dera e SHQUP dhe shikonte ndërtesën që nuk mori dot si qen i rrahur, flet shumë për fundin e tij jo vetëm politik, por dhe psikik.