Përfaqësuesit e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) theksuan se pavarësisht se përhapja e llojit Omicron të koronavirusit (COVID-19) nuk konsiderohet pozitive, kjo mund të shkaktojë një proces që do të çojë nga pandemia në endemi.
Zyrtari i EMA-s përgjegjës për strategjinë e vaksinimit, Marco Cavaleri, mbajti një konferencë për media ku foli për pandeminë COVID-19 dhe vaksinimin.
I pyetur se kur do të shohim dritën nga fundi i tunelit, Cavaleri tha se ende nuk dihet, por ajo që vihet re është se virusi po merr një gjendje endemike.
”Megjithatë, ajo që nuk mund të themi është se kemi arritur një gjendje endemike. Koronavirusi vazhdon të sillet në mënyrë pandemike. Këtë e tregojnë edhe urgjencat e shkaktuara nga Omicroni”, tha Cavaleri.
Ai theksoi se nuk duhet harruar se jemi ende në pandemi.
Sipas tij, rritja e imunitetit tek njerëzit, si dhe përhapja e llojit Omicron, përveç vaksinave dhe rritjes së imunitetit natyror, mund të çojë drejt një procesi të përshpejtuar që është më afër endemisë sesa pandemisë.
Ai iu referua edhe pretendimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) se në muajt e ardhshëm më shumë se gjysma e popullsisë në Evropë mund të infektohet me llojin Omicron.
Po ashtu theksoi se janë të shqetësuar për barrën që mund të sjellë vala e Omicron-it dhe se “duhet të përgatitemi për pasojat e kësaj vale, ndonëse sëmundja duket se shkakton simptoma më të lehta”.
Duke iu referuar faktit se lloji Omicron është më ngjitës, Cavaleri tha se një numër i madh njerëzish do të ekspozohen ndaj virusit, edhe nëse nuk shfaqin simptoma.
”Kjo do të thotë se mund të vijë deri të forcimi i imunitetit natyror. Arritja e imunitetit shtesë është shumë e rëndësishme sepse mund të mundësojë që infeksioni të bëhet endemik. Përhapja e madhe e Omicronit nuk është një lajm i mirë, por pasi kjo valë lë pasoja në Evropë dhe vende të tjera të botës, fakti që një numër i madh njerëzish do të infektohen mund të kuptohet se kemi imunitet të fortë që do të na çojë nga pandemia në endemi”, tha Cavaleri.
Ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse vaksinat kundër COVID-19 do të kërkojnë dozën e katërt. Ai tha se ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme shkencore.
“Jemi të shqetësuar për doza shtesë të vaksinave në afat të shkurtër,” tha Cavaleri.
Më tej, shtoi se dozat shtesë duhet të jenë pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse.
”Nuk mund të marrim një dozë shtesë të vaksinës çdo tre ose katër muaj. Për shembull, nëse marrim një dozë shtesë çdo katër muaj, mund të mos marrim përgjigjen e dëshiruar nga sistemi imunitar. Prandaj duhet të kemi kujdes që të mos e rëndojmë sistemin imunitar me vaksinime të përsëritura. Përveç kësaj, doza shtesë të vazhdueshme te njerëzit mund të shkaktojnë ngopje”, tha Cavaleri.
Ai shtoi se vaksinimi shtesë mund të bëhet një ose dy herë, por se kjo nuk është një situatë që kërkon përsëritje të vazhdueshme.
Cavaleri tha se mund të mendohej për doza që do të jepeshin në intervale më të gjata.
“Ideale do të ishte, nëse vjen deri te skenari që çon në endemi, doza shtesë të sinkronizohen me vaksinat e gripit me ardhjen e dimrit”, tha Cavaleri.