Ndërrimi i viteve u prit në mbarë globin me festime të kufizuara për shkak të pandemisë.

Ndërsa vendet e ndryshme raportuan shifra rekord të përhapjes së koronavirusit, shfaqjet me fishekzjarre dhe drita shumëngjyrëshe mirëpritën vitin 2022 nga Nju Jorku dhe deri në Zelandën e Re. Për të parë nga afër uljen tradicionale të sferës në sheshin e famshëm të Nju Jorkut, Times Square, u lejuan vetëm persona të vaksinuar plotësisht.

Festimet e Vitit e Ri u rikthyen në sheshin Times Square të Nju Jorkut. Një vit më parë, festimet u zhvilluan vetëm virtualisht për shkak të pandemisë. Ulja e sferës së famshme u ndoq nga 15 mijë spektatorë të vaksinuar që u lejuan brenda zonës së caktuar, me rregulla si mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancës fizike.

Njerëzit në Zelandën e Re ishin ndër të parët në botë që festuan ardhjen e vitit 2022 me një shfaqje dritash në Auckland.

Sidnei e hapi vitin e ri me një shfaqje verbuese fishekzjarresh. Mbrëmjen e ndërrimit të viteve Australia regjistroi numrin më të lartë ditor të të infektuarve nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë.

Dubai e festoi vitin e ri me shfaqjen e zakonshme të fishekzjarreve në zemër të qytetit. Qyteti qëndron i hapur për turistët, por autoritetet kërkojnë që pjesa më e madhe e vizitorëve të ofrojnë dëshmi të një testi negativ për COVID, si dhe të bëjnë një tjetër test në aeroport.

Rusia festoi fillimin e vitit 2022 me një shfaqje fishekzjarresh mbi Sheshin e Kuq të mbuluar me dëborë. Sheshi u mbyll për publikun për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndërsa gazetarëve u lejohej të filmonin fishekzjarret mbi Kremlinin.

Fishekzjarret ndriçuan monumentet e lashta të kryeqytetit grek, ndërsa vendi përballet me infektime rekord nga koronavirusi. Greqia ndaloi festimet publike të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe ka urdhëruar mbajtjen e maskave edhe në mjedise të hapura, për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së variantit Omicron, që ka detyruar qeverinë të shtojë kufizimet ndaj sektorit të turizmit.

Në Paris, shfaqja tradicionale e fishekzjarreve në Harkun e Triumfit dhe bulevardin Champs Elysees u anulua sepse autoritetet donin të shmangnin krijimin e turmave të mëdha. Policia kufizoi hyrjen drejt Champs Elysees dhe konsumi i alkoolit u ndalua në zona të caktuara të Parisit.

Berlini e festoi Vitin e Ri pa fishekzjarret tradicionale në pikën historike të kryeqytetit gjerman, Portën e Brandenburgut. Në vend të saj pati fishekzjarre më të pakta mbi sallën e koncerteve Konzerthaus në sheshin historik Gendarmenmarkt.

Ora e famshme Big Ben e Londrës shënoi Vitin e Ri për herë të parë që nga viti 2017, pas tre vite restaurimesh. Shfaqja e fishekzjarreve mbi kullën e sahatit dhe monumentet e tjera ishte anulluar fillimisht për shkak të kufizimeve ndaj COVID-19, por u rikthye disa orë para mesnatës, së bashku me udhëzimin për të qëndruar në shtëpi dhe për ta parë në televizor.

Mijëra vendas dhe turistë nga e gjithë bota u mblodhën në plazhin me famë botërore Copacabana në Rio de Janeiro për të mirëpritur Vitin e Ri./VOA