Këtë pasdite në Kryeministri u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit të Vitit të Ri 2022, i cili u çel përmes pop-up-it në Platformën e Bashkëqeverisjes në dhjetor 2021. Etleva Hamitaj ia doli mes 700 pjesëmarrësve që të fitojë çmimin për foton më të bukur me pamje nga Lëpusha në konkursin e hapur në fundvit nga kryeministri Rama i cili zgjodhi vetë t’i japë dhuratën.

Rama parashtroi edhe synimin që ky konkurs të bëhet një traditë edhe për vitet e mëpasshme, për të rritur më shumë bashkëpunimin. Në fjalën e tij përshëndetëse Rama tha se ishin masivisht kërkesat e bëra nga nxënësit e shkollave të ndryshme të vendit.

“Dua të shtoj se, mbase mund të lindi nevoja për një shpjegim ndër ata konkurentë që ishin një numër i konsiderushëm, se ku qëndron ndryshimi midis një shkolle dhe një tjetër. Kjo, pasi tëra kanë kërkuar palestra, fusha sportive, ambiente për arte. Ndryshimi është në faktin se pavarësisht se në thelb kërkesat nuk kanë qenë shumë të ndryshme në formë dhe pasionin që janë adresuar, sigurisht ka pasur avantazhe dhe disavantazhe dhe kjo ka qenë arsyeja e vlerësimit si kriter.”-tha Rama.

Çmime u ndanë edhe për mesazhin më të bukur të urimit për vitin 2022. Duke falenderuar të gjithë ata që iu përgjigjën pozitivisht kësaj ftese, Kryeministri Rama tha se nisma të tilla duhen kthyer në traditë.

“Ndërkohë, edhe shkollat e tjera që kanë bërë kërkesën do të ndihmohen, është me rëndësi të dihet se nuk është fjala për një kërkesë dhe akses të drejtpërdrejtë në arkën e shtetit. Është fjala që ne së bashku me nxënësit të bashkëpunojmë dhe t’i mbështesim ata për të financuar nevojat, që domethënë le ta shfrytëzojmë këtë proces për të rritur ndjeshmërinë dhe dijen e nxënësve mbi mundësitë shumë më të mëdha sesa ato që duken në pamje të pare, që ka çdo individ i cili bashkohet me të tjerë.”-tha kryeministri Rama.

Rama theksoi se të tilla konkurse formësojnë dijet e rinisë që shkon në të njëjtën linjë me prioritetet e qeverisë për zhvillimin profesional të të rinjve.

“Vitin e ardhshëm besoj se të gjithë do të bëjnë një video-kërkesë sa më bindëse duke filluar të krijojmë një rrejt dije për mënyrës se si shkruhen projektet për të realizuar qëllime nga më të ndryshme. Ne duam ta rrisim gamën e pjesëmarrëseve. Qeveria ka prioritet fëmijët, në sensin e mbështetjes për ta dhe jo vetëm teorik që vlen për të gjithë. Në këtë rast ideja është për të shkuar me lart dhe kemi vendosur fonde të konsiderueshme për të adresuar nevojat e fëmijëve tanë për art, teknologji, zeje pas shkolle.” – tha Rama.

Në kategorinë e fotografisë morën pjesë 455 pjesëmarrës, imazhet e të cilëve u frymëzuan nga pejzazhe, portrete apo simbolika të ndryshme. Fotografitë fituese u ekspozuan në hollin e Kryeministrisë, duke i dhënë mundësi publikut të njihet me to në ditët në vijim.

Në kategorine e videokërkesave morën pjesë 159 pjesëmarrës, të cilët ideuan videon e tyre me nje kërkesë specifike lidhur me shkollën apo komunitetin ku jetojnë. Ndërsa në kategorinë e urimeve morën pjesë 97 pjesëmarrës, të cilët shprehën përmes një mesazhi të shkruar urimet e tyre për vitin e ri 2022.