Në kulmin e debatit për zgjedhjen e kreut të ri të FSHF-së, Armando Duka ka angazhuar të gjithë stafin e tij për të kryer përgjime dhe shantazhe kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej disa ditësh po kërkon një hetim për korrupsionin e Dukës. Por, të tjera fakte dalin në dritë, e kësaj radhe lidhen me pagat e majme me të cilat i paguan Duka vartësit e tij në FSHF, e që më pas i përdor si çimka.

Federata Shqiptare e Futbollit është sot një nga institucionet që jep për stafin e saj të tejfryrë paga të majme që variojnë nga 2 deri në 5 milionë lekë, pavarësisht pozicionit, specialist apo drejtor institucioni. Kjo zbulon edhe faktin se në perandorinë e drejtuar nga Armando Duka, prej 20 vitesh, nuk ekziston koncepti i hierarkisë, të paktën në nivelin e pagave ku të gjithë trajtohen dhe ndihen si eprorë.

Piramidën e pagave të majme e kryeson Ilir Shulku me 5 milion e 200 mijë lekë si Sekretar i Përgjithshëm i FSHF. Më pas vijnë: Aldi Topçiu, Andi Verçani etj. me mbi 2 milionë lekë.

Me këto super paga, nuk është çudi organizimi i një makinerie të tërë manipuluese për të zgjedhur për herë të 6-të në krye të FSHF Armando Dukën, duke qenë se secili prej vartësve të tij paguhet në mënyrë të majme me 10 herë më shumë se rrogat normale të një punonjësi të thjeshtë.

Pagat e zyrtarëve të Federatës janë vetëm maja e ajsbergut të abuzimeve me fondet e FSHF, e cila është aktualisht nën hetim edhe nga Prokuroria për shpërdorim fondesh si dhe për shitjen e ndeshjeve.

FSHF është akuzuar prej kohësh për mungesë kontrolli me abuzimet e federatave lokale me drejtues si Duka.