Është pritur me interes fushata e rekrutimeve për ushtarë-detarë edhe në Korçë. Pas Elbasanit, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ndoqi këtë proces edhe në këtë qytet, nga ku ftoi të rinjtë ta konsiderojnë këtë një nga mundësitë më të mira për karrierën e tyre.
“Ne duam të ftojmë, jo vetëm me thirrje patriotike të rinjtë për t’u bërë pjesë e FA, por marim përsipër edhe përgjegjësitë tona për t’i dhënë sa më shumë dinjitet këtij pozicioni. Të jesh ushtarak, të jesh efektiv i FA është një nder, një krenari e madhe, sepse përfaqëson të gjithë forcën e kombit, përfaqëson një vend që është anëtar i NATO-s. Pra, çdo i ri që nesër do të bëhet pjesë e FA duhet të ketë parasysh që bëhet anëtar i FA që janë pjesë e aleancës së NATO-s”, u shpreh gjatë këtij aktiviteti ministri Peleshi.
Peleshi bëri të ditur se të gjithë ata të rinj që nesër do të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura, si rezultat i këtij procesi rekrutimi do të vlerësohen nga një sistem pagash që është ndër më të lartat në rajon. Ministri Peleshi tha se qeveria shqiptare e bën këtë për t’i treguar Aleancës se Shqipëria meritojn të jetë anëtare e NATO-s, por edhe për të treguar ambicien për të qenë të krahasueshëm me vendet e tjera anëtare të kësaj Aleance.
Teksa përsëriti ftesën për të rinjtë e të rejat ai theksoi se FA krijon hapësira të mëdha karriere. “Kam një ftesë për të rinjtë dhe të rejat, ta konsiderojnë realisht, jo sepse kështu më takon mua pozicioni të them, por sepse realisht të fillosh një karrierë në FA është një mundësi e pakrahasueshme me shumë karriera të tjera, sepse së pari fillon me një pagë mbi 50 e ca mijë lekë të reja, pra mbi 500 mijë lek të vjetra e thënë thjesht pavarësisht arsimit që ke. Në rast se ke arsim të lartë hapen dyer shumë të mëdha përmes kurseve në vendet e NATO-s, në Shqipëri në Akademinë e FA ti mund të rritesh në karrierë, mund të arrish edhe gradat më të larta pse jo, por edhe në rast se ke një arsim më modest një arsim të mesëm përsëri ke mundësi të futesh në sistemin e gradimeve’, shpjegoi ministri Peleshi.
Fushata e rekrutimeve do të zgjasë deri më 20 janar dhe këtë herë ka një specifikë. Për ta bërë më të lehtë qasjen e të rinjve, në çdo qendër qyteti janë ngritur pika të veçanta, duke mos e kufizuar këtë proces vetëm në qendrat e rekrutimit.