Drejtoresha e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Arsimit dhe Sportit, Zamira Gjini, bëri të ditur se, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të mbyllur të gjitha shkollat në vend tri ditët e para të kësaj jave, për të mbrojtur fëmijët nga kushtet e vështira atmosferike, ditën e enjte mësimi do të vijojë normalisht.
Gjini tha se arsyet e pezullimit treditor të mësimit lidhet edhe me kushtet që kanë nxënësit për të shkuar në shkollë, ku mjaft rrugë janë të pakalueshme për shkak të ngricave të shumta.
“Mbyllja e shkollave për këto shkaqe ka ndodhur edhe në vite të tjera, ku ka pasur reshje dëbore dhe ulje të temperaturave. Janë marrë parasysh më shumë zonat e thella të Shqipërisë dhe shkollat nuk duheshin mbyllur vetëm në disa qytete, pasi ulja e temperaturave ka prekur gjithë territorin e vendit. Janë vetë Zyrat Vendore Arsimore dhe drejtoritë e shkollave që do të merren me përcaktimin e kalendarit për zëvendësimin e këtyre ditëve”, shtoi ajo.
Gjini theksoi se këto ditë kanë shërbyer gjithashtu edhe për të mos rritur numrin e infektimeve, pasi fëmijët kanë qëndruar në shtëpi përgjatë këtyre ditëve, andaj nuk kanë pasur kontakte me njëri-tjetrin.