Masat e reja, në fuqi që nga fillimi i muajit, për të mbajtur nën kontroll koronavirusin në Greqi do të zgjaten, njoftoi sot qeveria greke.

Rregullat do të qëndrojnë në fuqi për të paktën edhe një javë tjetër përtej afatit të mëparshëm, që ishte 16 janari.

Restorantet, baret dhe lokalet duhet të vazhdojnë të mbyllen në mesnatë. Klientët nuk lejohen të qëndrojnë në këmbë dhe duhet të shërbehen në tavolina, ndërsa muzika është e ndaluar. Në ndeshjet e futbollit, stadiumet duhet të zënë vetëm 10 për qind të kapacitetit te tyre.

Vizitorët në shtëpitë e të moshuarve dhe spitalet duhet të tregojnë një test negativ PCR.

Mbajtja e maskës FFP2 është e detyrueshme në supermarkete dhe gjatë përdorimit të transportit publik.

Vetëm personat e vaksinuar dhe të shëruar nga Covid-19 kanë akses në të gjitha bizneset e tjera.

Numri i infeksioneve të reja, veçanërisht pas përhapjes së variantit Omicron, mbetet i lartë. Në fillim të kësaj jave, mbi 25,000 studentë dhe mësues rezultuan pozitivë pas kthimit nga pushimet e Krishtlindjeve.

Nga e marta deri të mërkurën, brenda 24 orëve u zbuluan gjithsej 24,246 infeksione të reja.