Pediatria e re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka hapur sot dyert për fëmijët që kanë nevojë për kujdes shëndetësore. E pranishme në inaugurimin e pediatrisë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e konsideroi këtë investim si një kapitull të ri për shërbimin shëndetësorë për fëmijët, por theksoi se sfidë mbetet injektimi i një kulture të re pune në spitalet në vend.
Sipas Manastirliut, modernizimi i infrastrukturës duhet të shkojë paralel me zhvillimin e njeriut brenda sistemit, për këtë ajo tha se do nisë një program trajnimi për stafet mjekësore. Ky program do të kryhet nga Agjencia e Standardeve dhe Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore dhe do të nisë me shërbimin e urgjencave. “Sfida jonë më e madhe është inj ektimi një kulture të re pune. Modernizimi i infrastrukturës duhet të shkojë paralel me zhvillimin e njeriut brenda sistemit. Ne duhet ta ngremë më të fortë shërbimin kombëtar shëndetësor. Duhet të jemi më kërkues për shërbimin që i ofrojmë qytetarëve. Nuk ka më vend për justifikime. Agjencia e Standardeve dhe Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore do të nisë një program të posaçëm edukimi për stafet mjekësore në sistemin spitalor, duke filluar me shërbimin e urgjencave. Është e rëndësishme që infrastrukturës t’i përgjigjemi me kulturë të re shërbimi ndaj qytetarëve. Kjo strukturë do merret me këtë aspekt”, tha ministrja.
Sipas Manastirliut, në pediatrinë e re ofrohen tre shërbime, ai i urgjencës, i reanimacionit dhe kirurgjisë infantile me kapacitete të dyfishuara.”Hapim një kapitull të ri për shërbimin shëndetësor për fëmijët. Ky spital kishte pak kohë që kishte filluar të hidhte themelet ndërkohë që Shqipëria u përball me tërmetin e më pas me pandeminë. Vëmendja jonë u drejtua nga përballja me pandeminë dhe sistemi shëndetësor u vu në një sprovë të madhe, por ja dolëm ta përballonim. Investimet në shëndetësi nuk u ndalën. Ky investim i ri është një projekt modernizimi, shërbimi cilësor për përkujdesjen ndaj shëndetit të fëmijëve. Ky spital mbart tre shërbime esenciale, kemi urgjencën pediatrike me kapacitete të dyfishuara. Shërbimi i reanimacionit do të ketë kapacitet të dyfishuara. Shërbimi i kirurgjisë infantile do të jetë e dedikuar një sallë edhe për ndërhyrje invazive”, theksoi Mininistrja.