Liria e medias ka qënë dje tema e mbrëmjes në një prej televizioneve informative në vend, ku për të folur mbi parimet, integritetin dhe rreziqet e profesionit të gazetarit përballë propagandës, ishte i ftuar edhe pedagogu i gazetarisë Zylyftar Bregu.

Bregu, që njihet gjerësisht si kryeredaktori i gazetës Integrimi, organi mediatik i Lëvizjes Socialiste për Integrim, foli gjatë për raportin që një gazetar duhet të ketë me të vërtetën në kushtet kur sipas tij, propaganda politike po rrit presionin e saj.

Por paradoksalisht, ai vetë përfaqëson të kundërtën e këtyre parimeve. Bregu, që edukon gazetarët e rinj në auditor, njihet si ish anëtari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, i hetuar për rryshfet dhe favorizim me licencat e subjekteve lokale.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Kuvendi i Shqipërisë miratoi shkarkimin e tij si anëtar i Autoritetit të Medias Audio-Vizive, pasi u konstatua se ka vepruar në kundërshtim me ligjin organik të AMA-s.

Bregu kishte lidhur kontratë qiraje me 2 korrik 2015 me Ministrinë e Bujqësisë për 4.2 hektarë në fshatin Picar, Vorë, me një afat përdorimi 99 vjet.

Kështu, kryeredaktori i LSI-së, që njëherësh fitonte kontrata për toka bujqësore në konflikt interesi dhe njëherësh hetohej për rryshfet me licencat e AMA-s, shembulli më i padenjë për gazetarët e lirë, është shndërruar në një ligjërues publik që i qan hallin medias dhe gazetarëve në mënyrë hipokrite.