Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ishte i pranishëm në inagurimin e Pediatrisë së re të Tiranës, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Kryeministri në fjalën e tij vuri theksin tek përmirësimi i infrastrukturës si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, duke u ndalur tek rëndësia e transformimit të insfrastrukturës në shëndetësi për performancën e stafit mjekësor në punë.
“Gjithë përpjekjet e bëra dhe gjithë hapat e hedhur sollën përmirësimin e kushteve në këtë qendër kaq të rëndësishme për shëndetësinë për vendin tonë, por dhe për sistemin shëndetësor në tërësi,” u shpreh Kryeministri Rama.
Më tej kreu i qeverisë u shpreh se: “Plotësimi i kushteve për t’ju dhënë mjekëve dhe infermierëve mundësinë që të ndihen në një hapësirë optimale për të ushtruar profesionin e tyre është një motiv jashtëzakonisht i fortë për të shërbyer me përkushtim”.
“Unë besoj fort se kushte fizike të çfarëdo infrastrukture të të jetuarit kanë një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në performancën e atyre që veprojnë brenda këtyre hapësirave, por edhe në marrëdhënien mes vetë njerëzve dhe në këtë rast në marrëdhënien mes pacientëve, mjekëve, familjarëve, personelit shëndetësor.”, tha Rama.
Dy godinat e vjetra të Spitalit Pediatrik, që u ndërtuan në vitet ’80, u janë nënshtruar një transformimi rrënjësor duke u rikonstruktuar plotësisht. Përmes këtij investimi pediatria e QSUT-së shndërrohet në një spital modern, me kushte shumë herë më të mira si për pacientët, ashtu edhe për stafin mjekësor.
Ambientet e transformuara të QSUT-së që i përshtaten shumë më mirë nevojave të fëmijëve, një investim prej 6,5 milionë eurosh vetëm në fazën e parë, përfitojnë 129 mijë pacientë. Sot inaugurohen, tre shërbime të rëndësishme që janë zemra e spitalit: urgjenca dhe reanimacioni me mundësi për dyfishimin e kapaciteve dhe katër salla të reja të operacionit.
Përpos ndërhyrjes në këto ambiente, investimi i plotë, i cili përfshin të gjithë kompleksin spitalor pediatrik, arrin vlerën e 15 milionë eurove, ku në vijim do të punohet për rehabilitimin e plotë të godinës me një kapacitet prej 200 shtretërish.
Ashtu si në çdo investim tjetër spitalor, transformimi nuk ndalon te struktura e godinës, por bëhet edhe pajisja me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.
Ky projekt bën pjesë në investimet madhore që po kryhen në Qendrën Spitalore Universitare, së bashku me Spitalin e ri Kirurgjikal që u ndërtua dhe Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme, i cili përfundon brenda këtij viti.
Me buxhetin e vitit 2022 përfundon rikonstruksioni i “Spitalit Pediatrik Elbasan”, Maternitetit dhe “Spitalit Rajonal Kukës”, si dhe rehabilitimi me “Programin e Kujdesit Parësor” i 50 qendrave shëndetësore dhe ambulancave.
Gjithashtu, deri në fund të këtij viti do të bëhet për herë të parë financimi i plotë i paketës së kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç, nga i cili përfitojnë mbi 350 mijë fëmijë, si pjesë e programit universal të kujdesit falas.