Ekuilibri i brishtë politik në Itali është lëkundur sërish. Data 24 janar shënon afatin e fundit kur Parlamenti duhet të votojë për presidentin e ri. Por klasa politike italiane nuk e ka ende një emër.

Zgjedhjet në Itali janë një proces i errët, që përfshin votime të fshehta që historikisht shpalosen përmes marrëveshjeve në prapaskenë mes ligjvënësve të lartë. Megjithatë, liderët politikë po luftojnë për t’i arritur këto marrëveshje dhe për t’i bindur anëtarët e partisë së tyre të bien dakord.

E majta e ka dominuar presidencën për dekada të tëra në Itali. Por tani aleanca e të djathtës ka më shumë vota. Dhe këto vota i japin mundësinë për t’u bërë president një emri shumë kontrovers në Itali: Silvio Berluskoni. 85-vjeçari tre herë kryeministër, ka penguar çdo negociatë që nuk përfshin emrin e tij duke bërë fushatë të fshehtë për këtë detyrë dhe duke tentuar të sfidojë traditën me një rikthim të fundit.

Ai kërkon aleancë brenda të djathtës, ku i pashmangshëm është Matteo Salvini i Lega-s. Së bashku me Giaorgia Melonin e Fratelli d’Italia, Salvini i ka dhënë mbështetjen e tij kavalierit. Por mosbesimi mes aleatëve mbetet i lartë, sipas La Stampa.

Më pas është kryeministri Mario Draghi, gravitacioni ndërkombëtar i të cilit do t’i shërbente mirë Italisë si president. Por në politikën italiane po rritet frika se zhvendosja e Draghit nga kryeministër në president mund të shkaktojë shpërbërjen e koalicionit qeverisës, duke çuar në zgjedhje të parakohshme.

Edhe pranimi i heshtur nga Draghi se ai mund të bëhet president po dëmton kohezionin e shumicës qeverisëse dhe aftësinë e saj për të vepruar.

Rezultati është një vend që shkon sërish drejt mosfunksionimit politik, pasi procesi ekspozon përçarjet që penguan politikën italiane përpara se Draghi, bankier jashtë politikës, të merrte pushtetin në shkurt 2021 për të drejtuar një qeveri uniteti. Dhe çdo pasiguri politike e nxitur nga zgjedhjet e parakohshme mund të kërcënojë aftësinë e Italisë për të miratuar reformat e kërkuara nga BE-ja, të nevojshme që vendi të marrë fonde kritike për rimëkëmbjen e pandemisë.