Kryeministri Edi Rama nga Universiteti Bujqësor i Tiranës nuk i ka kursyer batutat, ndërsa pranoi se ka bërë ‘paqe’ me rektorin Fatbardh Sallaku.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë theksoi se ndonëse nuk i pëlqejnë komplimentet, do i pranonte nga një njeri që kurrë nuk e kishte votuar.

Mes të tjerash Rama tha se në sallën ku po mbahej takimi në fjalë, ishte i vetmi pa një titull shkencor, pasi kishte bërë vetëm ciklin e studimit Bachelor.

“S’i kam qejf komplimentet, por nga dikush që s’më ka dhënë votën asnjëherë, i pranoj. Më vjen mirë që me rektorin dhe stafin drejtues të këtij universiteti kemi bashkëpunim të ngushtë. Bashkëpunim intensiv dhe ma ha mendja me dobi të madhe, që duket hap pas hapi, në favor të universitetit. Për mua është një ditë e shënuar me rektorin, pasi në të drejtën e tij ai ishte i shqetësuar disa kohë më parë. Qoftë për faktin se ka pasur një rënie të interesit për këtë universitet, apo dhe për faktin e mos hapjes së Doktoraturave. Për të dyja kemi pasur diskutime se si të bëjmë gjënë e duhur. Në këndvështrimin tim ska se si të jetë gjë e duhur, ulja e kritereve, apo çelja e Doktoraturave. Banaliteti i madh që e ka përmbysur fatalitetin mes doktorëve dhe jo doktorëve në këtë vend. Në këtë sallë duhet të jem i vetmi pa asnjë titull shkencor dhe pa asnjë kurrfarë statusi akademik. Jam një Bachelor i thjeshtë nga e kaluara ime, por Evisi e thotë që po të konvertohet me sistemin sot, i bie të kem bërë Master. Por nuk ka shqiptarë pa Master.”, tha Rama.