Armando Broja është duke kaluar momentin më të mirë në karrierën e tij sportive. Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer me fanellën e Southampton që pas huazimit nga Chelsea.
Në 21 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Anglisë, Broja ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar në një tjetër.
Southampton po negocion me Chelsean për transferimin e përhershëm të Brojës, por një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi edhe West Ham United po kërkon sulmuesin shtatlartë.
Shefi i ‘Çekanëve’ Rob Newman ka parë nga afër Brojën në fitoren e Southampton 4-1 ndaj Brentford, ku ylli shqiptar shënoi një gol të bukur.
Sipas asaj që ka raportuar Football Insider, West Ham është gati që këtë javë të dalë me një ofertë në drejtim të Chelseat për transferimin e shqiptarit.
Nga ana tjetër te Chelsea ende nuk janë të sigurt nëse duhet ta mbajnë Brojën për të ardhmen apo ta shesin menjëherë atë, pasi besohet se për momentin reprezentuesi shqiptar mund të shitet deri në 20 milionë euro.