Në spitalin infektiv pacientët që marrin trajtim vijojnë të jenë të prekurit nga varianti Delta. Mjekja infeksioniste thotë se në 24 orë shtrohen rreth 15 pacientë kryesisht me prekje të pulmoneve. Megjithëse shifrat e infektimeve po shkojnë drejt 2000 të prekurve në 24 orë , në spitalet Covid duket si mbizotëron ende varianti Delta i koronavirusit.

Mjekja infeksioniste në Spitalin infektiv, Elda Qyrja, sqaron se ende nuk janë paraqitur në spital persona të infektuar me variantin Omicron.  “Nga rëndesa e klinikës që ne kemi pacientë të hospitalizuar, flasim më shumë për Deltën. Jemi akoma herët që të themi për prekjen e pjesës pulmonare nga Omicron. Do duhet të shikojmë edhe disa ditë,” tha mjekja.

Sipas saj, shtrimet në spital shkojnë në rreth 15 në një ditë dhe shqetësim i tyre është kryesisht prekja e pulmoneve. “Në këto ditë të para të vitit të ri fatkeqësisht ne kemi pasur të hospitalizuar dhe kemi pasur një mesatare shtrimesh 13-14 rastesh në ditë. Pjesa më e madhe e tyre kanë nevojë për oksigjeno-terapi,” shtoi mjekja.

Pacientët thotë Elda Qyrja janë nga të gjitha moshat. “Kemi ekstremet edhe te 30 vjeç, edhe moshën mbi 80 vjeç. Por mosha që mbizotëron është ajo 50-70 vjeç,” tha ajo.

Spitali Covid aktualisht trajton rreth 150 pacientë, nga të cilët 10 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.