Pasojat politike të 8 janarit, që u konkretizuan me vendimin e orëve të para të mëngjesit të 11 janarit me përjashtimin nga Partia Demokratike të Sali Berishës dhe 8 të tjerëve, si dhe pezullimin e 19 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, tashmë ndodhen në tryezat e ndërkombëtarëve. Në raportin e radhës drejtuar selive diplomatike, PD i informon ata se vendimi i kryesisë blu, erdhi pas akteve të dhunës që rrezikuan edhe jetën e funksionarëve të lartë politikë, që ditën e protestës zhvillonin mbledhje në katin e dytë të godinës.

‘Kryesia e PD-së pas mbledhje mbrëmjen e së hënës e deri orët e para të së martës, mori një vendim të fortë si reagim ndaj organizatorëve të trazirave të dhunshme të 8 janarit ndaj institucionit të selisë së PD. Sulmi i dhunshëm dhe i paraplanifikuar i 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike, rrezikoi jetën e anëtarëve të Kryesisë, të Grupit Parlamentar, të Këshillit Kombëtar, nga pjesëmarrësit e prtestës që u thirr si paqësore, por që ishte e përgatitur për të shkaktuar gjakderdhje mes demokratëve nga persona me precedentë penalë dhe pa asnjë lidhje me PD-në, të urdhëruar, organizuar dhe nxitur nga organizatorët e protestës; pas përpjekjes për t’iu imponuar vendimmarrjes së shumicës së institucioneve partiake përmes akteve të dhunës dhe kërcënimeve për destabilizimin. Për këtë arsye vendosëm përjashtimin nga PD , dhe sipas rasteve nga funksionet në parti të organizatorëve, Sali Berishës dhe të tjerëve. Gjithashtu ftuam përfaqësuesit e tjerë të PD-së që të distancohen publikisht nga aktet e dhunës kundër PD-së dhe veprimeve që dëmtojnë interesat e partisë elektorale apo politike të PD-së.’ informon PD ndërkombëtarët.

“Puna e komisioneve hetimore vijon të jetë e bllokuar nga mazhoranca. PS nuk pranon të miratojë planin e punës së komisionit hetimor të inceneratorëve. Nga ana tjetër, pas arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka, kanë dalë të dhëna të cilat kërkojnë më shumë kohë për t’u analizuar dhe diskutuar në komisionin hetimor. Por shumica refuzon të zgjasë afatin e punës së komisionit.”- shkruhet në dokumentin e PD-së.

Thotë PD në raportn 3 faqësh, të cilin e përmbyll me foto të takimeve në bazë të kryedemokratit./Danjela Maloku, shqiptarja.com