Kryeministri Rama foli sot nga mbledhja e grupit parlamentar socialist, duke u ndalur në nismën e Këshillimit Kombëtar, si një eksperiencë e parë. Rama tha se hapja e këtij procesi kaq të gjerë ka një domethënie të madhe duke shtuar se: “Ky proces kërkon të dëshmojë vetëdijen tonë demokratike se për vendimet e hedhura për këshillim, nuk mjafton vetëm bindja jonë, as mandati ynë krejt legjitim për të marrë vendime, por duhet edhe opinioni i publikut të gjerë.”

Kryeministri shtoi më tej se këshillimi kombëtar është një investim politik strategjik që vihet në funkison të fuqizimit të lidhjes se punës me njerëzit e zakonshëm dhe për të kapërcyer një epokë të zymtë ndasish dhe sherresh partiake.

Shpërndarja e plotë e pyetësorit derë më derë parashikohet të kryhet deri më 22 shkurt.
“Kjo herë e parë do të na mësojë për vitin e ardhshëm edhe pse është një ndërmarrje jo e lehtë. Duke i dhënë të gjithë vëmendje e duhur, do të marrim një rezultat të kënaqshëm për dobinë e këtij ndërveprimi që tejkalon politikën banale të ditës”, tha Rama.