Në kryeqytet po ndjehen efektet e para të kufizimit të lëvizjes gjatë ditës së betonierëve dhe mjeteve të rënda.Sipas qytetarëve prej një jave trafiku është më i lehtësuar.
“Është një vendim më se i drejtë dhe i vonuar për mendimin tim”, u shpreh qytetari Shpëtim Kosova.
“Na ka lehtësuar, e ka dhënë efektin e vet ajo”, tha taksisti Halili Hafuzi.
Përpos çlirimit të trafikut, ekspertët thonë se ndalimi i qarkullimit të betonierëve gjatë ditës do të sjellë ulje të ndotjes ambientale.
Në fillim të janarit, Bashkia e Tiranës vendosi të ndalojë qarkullimin për mjetet e tonazhit të rëndë brenda Unazës së Vogël nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes.
Ky vendim u kundërshtua nga ndërtuesit, të cilët duan te punojnë edhe ditën.
Mjetet e tonazhit të rëndë ishin problem për trafikun në Tiranë, por edhe për zhurmat që shkaktojnë në dhjetëra kantiere të hapur.