Nga dita e nesërme do të hapen aplikimet për të gjitha ato subjekte që duan të menaxhojnë stacionet e plazheve për sezonin e ri turistik 2022. Lajmi u bë me dije nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro për Report Tv, ku theksoi se aplikimi do të zgjasë një muaj.
Në ‘Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, ministrja tha se këtë vit aplikimi është hapur me herët, pasi duhet që të fillojnë përgatitjet për sezonin e plazhit, i cili do të nisë më 1 mars.
“Kemi bërë një punë me bashkitë e bregdetit, për të përgatitur hartat e stacioneve të plazheve. Duke filluar nga nesër hapen për aplikimet për subjektet që duan të paraqiten për të menaxhuar stacionin e plazhit. E kemi filluar herët se duam të parandalojmë çdo ndërhyrje ilegale në territor, duam që të gjitha strukturat dhe njësitë e shërbimit në bregdet të jenë të kontrolluara të pajisura me lejen e Këshillit Kombëtar të Territorit, stacionet e plazhit të pajisjen me vrojtuesit. Do jetë i hapur sistemi online për një muaj, data 1 maj dua të jetë gati për nisjen e sezonit të plazhit”, tha Kumbaro në Report Tv.
Duke risjellë në vëmendje gjobitjen me 500 mijë lekë të kryebashkikaut të Shkodrës, Tonin Marinaj për shkak të mbetjeve në territorin e Razmës, Kumbaroi paralajmëroi gjobitjen e Bashkive të tjera që nuk do të marrin masa për pastrimin e territorit, pasi tashmë ky është një prioritet i qeverisë për mandatin e tretë. Ajo shtoi se Agjencia Kombëtare e Bregdetit e mbështetur nga qeveria do të ndërmarrë një operacion për pastrimin vijës bregdetare në Kavajë, Durrës, Himarë dhe Sarandë, si zonat me fluksin më të madh të turistëve.
“Ajo bashki në qarkun e Shkodrës ishte e para e këtij viti, por druaj se s’do jetë e fundit. Kemi reagime pozitive nga shumë bashki. Ne po monitorojmë sa e buxhetojnë bashkitë këtë zë në buxhetin 2022, kemi një numër të madh bashkish dhe do dalim me tabelë publike se kush ka performuar më mirë në këtë aspekt. Këtë vit do kemi rezultat të mira se kemi ndërhyrë me dy instrumente suplementare financiare nga qeveria. Do ketë operacion mbështetje për pastrimin e vijës bregdetare nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Kavajë, Durrës, Himarë dhe Sarandë. Qeveria ka financuar me 500 mln lekë të reja bashkitë e dedikuara për menaxhimin e mbetjeve”, u shpreh Kumbaro në Report TV.
Lumi Vjosa ditën e djeshme u shpall ‘Park Natyror’, ndërsa Kumbaro shpjegoi se ky lum po studiohet dhe vullneti i Ministrisë së Turizmit është që ta shpallin atë Park Kombëtar, ç’ka do të thotë se nëse Lumi Vjosa e merr atë status në të nuk do të lejohet ndërtimi.
“Lugina e Vjosës, janë 7 bashki që lagen nga lumi Vjosë, ka rreth 60 mijë banorë që jetojnë aty. Mesazhi i parë shkon për ata njerëz që punojnë atje që administrojnë pronat e tyre dhe gjithë ky proces ndërtohet bashkë me ta. Mesazhi i dytë është një vullnet i qeverisë që në një dialog me shoqërinë civile ekspertë dhe ata që jetojnë atje, ka shprehur vullnet për ti dhënë përparësi mbrojtjes së zonave natyrore. Ka filluar puna për studimin e këtyre të zonave për të shtuar sipërfaqen e tyre. Sapo kemi nisur punën për një etapë tjetër, vullneti i ministrisë është për të shkuar drejt statusit park kombëtar, na duhet të bëjmë analiza shumë të thella në të gjitha aspektet. Mbron nga zhvillimet e një karakteri tjetër, bujqësisë ekstensive, zhvillimet industriale që nuk përputhen me këtë shkallë mbrojtje. Nuk është e studiuar në të gjithë elementët e saj. Kjo fazë studimi përjashton çdo zhvillim me karakter industrial”, theksoi Kumbaro.
Ndërkohë, ministrja e Turizmit tha se listës së Zonave të Mbrojtura do të zgjerohet nga 18% që është aktualisht në 21%.
“Po përgatisim dy vendimi që e çojnë territorin e zonave të mbrojtura nga 18% që e kishim, në 21%. Parkun natyror të Liqeneve të Ulzës, do jetë objekt i një projekti rikualifikimi nga minsitria, Parku natyror i Zagorisë, Parku Natyror i Munellës, dhe lista është e gjatë shkon në rreth 30 njolla që rishikohen zgjerohen, përditësohen”, tha ajo.