Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e ftuar në studion e A2 CNN, theksoi se deklaratat e saj mbi ndryshimet në Maturën Shtetërore për këtë vit janë keqkuptuar.
Matura Shtetërore sipas Znj. Kushi nuk do të bëhet këtë vit, pasi është e pamundur që ndryshime të tilla të mëdha të bëhen në një kohë kaq të afërt. Matura Shtetërore 2022 sjell risi vetëm mënyrën e hartimit te testit.
“Shoh që ka një keqkuptim apo keqinterpretim të asaj që kam deklaruar apo që kemi diskutuar gjatë një takim të para dy ditëve për të prezantuar gjetjet e Maturës Shtetërore 2021. Çdo vit, disa muaj pas Maturës Shtetërore bëhet analiza e rezultateve.
Nisur nga shqetësimet apo problematikat që janë shfaqur në dy vitet e kaluara, ne kemi ngritur një grup pune shumë të gjerë me ekspertë e mësues që në muajin shtator për të bërë një analizë të të gjithë maturës, duke nisur nga aktet ligjore e nënligjore, deri tek administrimi i procesit. Në muajin mars ky grup neve do të na ofrojë gjetjet dhe sugjerimet se çfarë do të ndryshojë”- ka deklaruar Kushi.
Por sipas saj këto ndryshime nuk mund të bëhen për këtë vit, sepse të reformosh Maturën Shtetërore nënkupton që duhet të ndryshojnë shumë akte rregullatore.
Ministrja Kushi, duke u bazuar në deklaratën e saj të mëparshme, thekson se MAS është e gatshme ta ndërmarrë procesin e reformimit, nëse nga ekspertët rezulton se Matura Shtetërore duhet të ndryshojë. Por ky reformim nuk përfshin Maturën 2022, për të cilën rregullorja është duke u miratuar këto ditë. drafti është gati, por pritëm të prezantohen edhe gjetjet e maturës së mëparshme për të reflektuar ndonjë ndryshim.