Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka vizituar gjatë ditës së djeshme shkollat në zona rurale të Bulqizës dhe Dibrës.
Vizita e ministres vjen në periudhën e ditëve të acarta për këto zona dhe kishte për qëllim inspektimin nga afër të marrjes së masave dimërore për mbarëvajtjen e mësimit, si dhe vëzhgimin e situatës së infektimeve në shkolla duke parë pjesëmarrjen e nxënësve dhe mësuesve.
“Gjatë vizitës sime në Bulqizë dhe Maqellarë gjeta një situatë të mirë, jo vetëm në zhvillim të procesit mësimor, por edhe masat e marra për stinën e vështirë të dimrit. I falënderoj nga zemra mësuesit e këtyre zonave për përkushtimin që tregojnë çdo ditë të vitit në mirëedukimin e nxënësve tanë”, shprehet ministrja.
Kushi gjatë vizitës në shkollën 9-vjeçare “Ismail Jangulli” në fshatin Godvi të Bulqizës, ka pritur nxënësit që vinin me furgona nga fshatrat përreth Strikçan, Krajkë, Sofraçan e Peladhi. Këta nxënës që nga mbyllja e klasave kolektive vijnë në këtë shkollë “qendër”, ku arrijnë të marrin mësim më cilësor me anë të stafit të mësuesve të profilizuar, ku një pjesë e tyre vijnë nga portali.
Një ndalesë tjetër e ministres ishte gjimnazi i Maqellarës, i cili është ndërtuar para 3 viteve me kushte mjaft të mira, ambiente sportive, biblioteka dhe me ngrohje optimale.
Kushi ka takuar dhe bashkëbiseduar me stafin mësimor të gjimnazit për të mësuar më konkretisht për kërkesat dhe sugjerimet e tyre.