Qeveria do të marrë masa që të mos lejojë më ndërtuesit të bëjnë kate shtesë pa leje.

Këtë e ka konfirmuar shefi i Kadastrës Artan Lame në një takim me banorët e Selitës, ku ishte për përfundimin e procesit të legalizimit të një pallati.

Lame tha se Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës ka bërë gati një raport për ndërtimet e shtesave jashtë lejes së ndërtimit, që do i paraqitet Qeverisë.

“Për fat të keq, fenomeni i ndërtimit, i shkeljes së lejes së ndërtimit për pallatet vazhdon edhe për leje ndërtimi të dhëna në vite shumë të afërta, më 2016, 2017, etj. Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës po përgatit një raport që do i dërgohet Qeverisë, për të marrë masa për të bllokuar çdo lloj ëndrre për shtesa mbi pallate për lejet e dhëna vitet e fundit. Që do të thotë: Do të bëhet e pamundur që ndërtuesi të mbarojë pallatin, të shtojë edhe nja 2 a 3 kate mbi lejen e marrë, pastaj të hyjnë banorët brenda nëpër banesa, ndërsa investitori të largohet duke ja lënë barrën e legalizimit Shtetit dhe Kadastrës. Do ndërhyhet shumë shpejt për ta frenuar këtë fenomen që është shumë i shëmtuar”, tha Lame në takim me banorët e Selitës, të cilët e përfituan Vendimin e Legalizimit duke u bërë bashkë, pasi ndërtuesi e kishte braktisur objektin.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, duke u ndalur në zonën e Selitës, tha se gati 80% e pallateve në këtë zone dendësisht të urbanizuar, janë hipotekuar duke ju nënshtruar procesit të legalizimit.

“Është një zonë që është e mbushur me pallate, e mbi urbanizuar dhe për fat të keq për shumicën e objekteve të ndërtuara i ka ose në proces legalizimi ose janë legalizuar”. Pallati konkret i legalizuar në Selitë ishte objekt me leje ndërtimi të vitit 2006, i cili në një moment të caktuar kishte braktisur pallatin, duke i lënë banorët në mëshirën e fatit. Legalizimi në këtë rast u finalizua përmes vetë banorëve nga i cili proces përfituan 120 familje.