Legalizimi ose jo i kanabisit mjekësor në vendin tonë, sipas Qeverisë, do të vendoset nga qytetarët shqiptarë. Ideja e një referendumi për të bërë të ligjshëm kultivimin dhe tregtimin e lëndës që ka sjellë jo pak probleme për sigurinë në vend, tashmë duket se iu lihet në dorë qytetarëve.
bajramyzeiraj
Ata do të përgjigjen me anë të një formulari të hartuar që lidhet pikërisht me dëshirën e tyre për t’u shprehur pro apo kundër kësaj nisme, që duket se tashmë është fakt.
Por përtej qytetarëve të thirrur nga platforma, në të cilën gjenden edhe pyetjet që kanë shtruar grupet e ekspertëve, që sipas qeverisë do të hartojnë këtë projekt, ekspertët e Policisë dhe njohës të mirë të sigurisë japin mendime të ndryshme.
Gazeta “Panorama” mori opinionin e profesorit të çështjeve të drejtësisë, i cili shprehet se nuk sheh asgjë të keqe në këtë nismë. Ai shprehet pro kultivimit të kontrolluar të kanabisit, duke u bazuar jo vetëm në njohjen e favoreve që mund të sjellë ky legalizim, por edhe të mundësisë së marrjes së gjithë eksperiencës së duhur nga vendet që e kanë praktikuar.
“PRO” LEGALIZIMIT
Profesori i njohur i shkencave juridike, Bajram Yzeiraj, në një prononcim për gazetën ‘Panorama’, nuk e kundërshton idenë e legalizimit të kanabisit. Pavarësisht se ndalet te një sërë kushtesh që duhet të përmbushen nga ana e atyre që do të hartojnë rregulla dhe aktet ligjore, ai pranon se kjo nismë nuk ka asgjë të keqe.
Parimisht, Yzeiraj e justifikon faktin se ky legalizim mund të ndikojë në uljen e veprimtarisë kriminale, që ka gjeneruar kultivimi dhe trafikimi i lëndës narkotike në vendin tonë.
Po ashtu, në optikën e tij ai mendon se me rregullimin si duhet të bazës ligjore mundet që përveç uljes së veprimtarisë kriminale, të pësojë ulje edhe numri i personave që arrestohen për këtë vepër penale, e për pasojë, në vendin tonë do të ulen ndjeshëm edhe shifrat e të dëmtuarve nga përdorimi i kësaj lënde narkotike.
“Në vlerësimin tim, nuk shoh asgjë të keqe për legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe ekonomike. Kjo do të ndikonte në uljen e veprimtarisë kriminale, e për rrjedhojë, edhe numrit të të dënuarve dhe dëmtuarve në vendin tonë”, shprehet z. Yzeiraj.
Sipas ish-ministrit të Brendshëm, ky hap kërkon rregullim të saktë me akte ligjore. Po ashtu, strukturat shtetërore duhet të jenë përgjegjëse për të marrë dhe implementuar eksperiencën e vendeve të tjera që e kanë aplikuar këtë nismë.
Madje, ai iu bën thirrje të gjithë aktorëve që kanë njohuri mbi këtë veprimtari të mos hezitojnë për të sqaruar mirë opinion publik për të gjitha ndikimet pozitive që mund të ketë:
“Lejimi i kësaj veprimtarie kërkon rregullim me aktet ligjore e strukturat shtetërore përgjegjëse, duke marrë eksperiencën e vendeve të tjera. Nuk duhet hezituar, por punuar dhe sqaruar mirë opinionin publik”.