Nga Mero Baze/
Sali Berisha tani ka nisur luftë me çdo institucion zyrtar, politik apo fetar që nuk e pranon më si Kryetar të PD, dhe akoma më keq që njohin si të tillë Lulzim Bashën. Ka 24 orë që sulmon KQZ pse nuk njeh përfaqësuesin e tij. Pastaj sulmon ceremoninë e Ipeshkvit të Durrësit dhe Tiranës Arjan Doda, duke spekuluar me montazhe fotografike, ku sipas tij Rama dhe Lulzim Basha komunikojnë të dy me celularë. Në fakt në foto shikohet qart se janë duke lexuar të gjithë programin e ceremonisë që e kishte para çdo i ftuar.
Problemi i Sali Berishës është që nuk është më i ftuar në ato ceremoni. Dhe do vazhdojmë të kemi probleme të tilla. Përpara kemi festën e Hashures, Sulltan Novruzin, Pashkët Ortodokse dhe Katolike etj. dhe ai do të vazhdoj të mos ftohet si i tillë.
Por egërsia e tij ndaj KQZ nuk buron nga fakti se KQZ kishte mundësi ta njihte dhe nuk e njohu. KQZ nuk kishte asnjë mundësi. Por ai shpresonte se Celibashi do t’ia bënte këtë nder, meqë ai e përzgjodhi atë si pjesë e ekipit që ka qenë avokat i historisë së Gërdecit ku preket djali i tij, dhe dha miratimin për të në vend të Ilir Rusmalit i cili në fakt u bë shkak për denoncimin e historisë së Gërdecit.
Por në fakt as Ilirian Celibashi e as Ilir Rusmali, nuk kanë si ta njohin Sali Berishën si kryetar PD. Ajo është një çështje e vdekur për çdo jurist.
Por egërsimi i tij tregon se çfarë respekti ka ai për ligjet. Pra në mendjen e tij, nuk ka rëndësi nëse ka të drejt apo nuk ka të drejt por a është njeri i tij ai që e ka në dorë apo jo.
Në rastin konkret ai mendonte se meqë Celibashit i kishte bërë nder, ai duhet tia kthente nderin duke e njohur atë në vend të Bashës. Celibashi thjesht ka zbatuar ligjin. Ligjin do zbatonte dhe Ilir Rusmali po të ishte dhe Bashën do njihte Madje për të qenë i sigurt e mos të ngelet merak Berisha mund ta ankimoj vendimin e Celibashit se aty në Komision të apelimit e ka Rusmalin. Ka shanse ta provoj vendimin e tij.
Pra këtu nuk është çështje se ka ndonjë dilemë ligji e mbetet në dorë të gjykuesit. Këtu ka dilema vetëm një njeri, Sali Berisha, i cili mendon se ligji nuk ka rëndësi, por ka rëndësi ai si person.
Është hera e parë që po kupton që nuk ka asnjë rëndësi. As në administratë të Kuvendit, as në KQZ, madje as në kisha e xhamia.
Kjo që bën sikur kërcënon, është thjesht instiktiv që mos të turpërohet para të vetëve, që shikojnë se si lideri i tyre nuk është më ai forti s’guxonte njeri ti kthente fjalën. Tani është dikush që se kthen kokën njeri ta shikojë.